Bisedimet mes Shteteve të Bashkuara, Rusisë dhe Ukrainës për t’i dhënë fund luftës kanë rifilluar në Abu Dhabi, nën ndërmjetësimin amerikan. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e cilësoi ditën e parë të takimit si konstruktive, ndërsa nga pala ruse u bë e ditur se është ende herët për të nxjerrë përfundime.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se bisedimet kanë qenë produktive, por theksoi se mbetet ende shumë punë për t’u bërë. Ai la të hapur edhe mundësinë e zgjerimit të formatit të negociatave, duke përfshirë drejtpërdrejt vendet evropiane në tryezën e bisedimeve.

“Objektivi ynë është që në një moment ky format trepalësh të zgjerohet dhe që edhe evropianët të përfaqësohen drejtpërdrejt në negociata”, u shpreh Rubio.

Në qendër të diskutimeve janë garancitë e sigurisë që kërkon Ukraina, territoret e pushtuara nga Rusia dhe mundësia e krijimit të një sistemi të ri sigurie në Evropë.

Takimi në Abu Dhabi po zhvillohet në dy faza. Fillimisht u mbajt një takim paraprak me pjesëmarrjen e përfaqësuesve amerikanë, ukrainas dhe këshilltarëve të sigurisë nga Franca, Gjermania, Italia dhe Mbretëria e Bashkuar. Më pas nisën bisedimet e drejtpërdrejta mes delegacioneve të Rusisë, Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara.

Një nga zhvillimet konkrete të raportuara nga këto bisedime është mundësia e një shkëmbimi të madh të të burgosurve mes Rusisë dhe Ukrainës në ditët në vijim. Lajmi u bë i ditur nga gazeta ukrainase “Ukrainska Pravda” dhe u përmend edhe nga Zelensky, i cili theksoi se çështja e të burgosurve është një përparësi për Kievin.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha, ka propozuar një takim të drejtpërdrejtë mes presidentit Zelensky dhe presidentit rus Vladimir Putin, me synimin për të përshpejtuar përfundimin e luftës.

Zelensky ka shprehur vazhdimisht gatishmërinë e Ukrainës për të vazhduar negociatat. Për Kievin, arritja e një marrëveshjeje është urgjente, për shkak të pasojave të rënda që lufta ka shkaktuar te popullsia. Edhe presidenti amerikan Donald Trump duket se kërkon një zgjidhje sa më të shpejtë të konfliktit.

Në këtë proces pritet të ketë një rol më të madh edhe Evropa. Ftesat për samitin në Abu Dhabi janë bërë nga Uashingtoni, ndërsa Italia ishte përfshirë që në fillim në listën e vendeve të ftuara.

Vendet evropiane po përpiqen të koordinojnë qëndrimet e tyre për të pasur një zë të përbashkët në negociata. Kryeministrja italiane Giorgia Meloni i ka kërkuar presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Costa, të nxisë bashkëpunimin mes vendeve të BE-së për këtë çështje. Tema pritet të diskutohet edhe në takimin joformal të Këshillit Evropian, më 13 nëntor, në Dublin.

Megjithatë, pengesa kryesore mbetet qëndrimi i Rusisë. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka kundërshtuar propozimin evropian për vendosjen fillimisht të një armëpushimi dhe më pas nisjen e negociatave.

“Rusia nuk do ta pranojë kërkesën për një armëpushim të menjëhershëm”, deklaroi Lavrov për agjencinë “Interfax”. Ai akuzoi Brukselin dhe kryeqytetet e tjera evropiane se po kërkojnë të fitojnë kohë për Ukrainën, në mënyrë që kjo e fundit të rikuperojë humbjet ushtarake.

Kështu, pavarësisht sinjaleve pozitive nga dita e parë e bisedimeve, rruga drejt një marrëveshjeje mbetet e vështirë. Qëndrimi i Moskës për armëpushimin dhe e ardhmja e territoreve të pushtuara pritet të jenë ndër çështjet më të vështira në negociatat mes palëve.

/tvklan.al