Shqipëria ka hedhur një tjetër hap të rëndësishëm drejt forcimit të sigurisë energjetike. Në prani të kryeministrit, Edi Rama, Ministrat Enea Karakaçi dhe Delina Ibrahimaj në emër të Qeverisë Shqiptare, nënshkruan me kompaninë ENI Memorandumin e Bashkëpunimit, i cili i hap rrugë vlerësimit të mundësive për krijimin e një HUB-i Kombëtar të produkteve energjetike në vendin tonë.

Memorandumi parashikon realizimin e studimeve të fazuara mbi fizibilitetin teknik, ekonomik, financiar, ligjor dhe rregullator të këtij projekti strategjik si dhe vlerësimin e mundësive për furnizimin e tregut shqiptar me produkte energjetike.

Kryeministri Edi Rama theksoi se me nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje garantohet rezerva strategjike e tregut të hidrokarbureve.

Rama: Garantojmë rezervat strategjike të hidrokarbureve

“Në fillimet e këtij mandati të ri, kemi ndarë me publikun ambicien për të krijuar një forcë të re në tregun e hidrokarbureve, një operator dinamik, i cili të luajë në njëfarë mënyre rolin e rregullatorit të tregut në funksion të mundësive më të mira për konsumatorët.

Bashkëpunimi me Eni-n, që është një gjigant global në tregun e hidrokarbureve, por njëkohësisht edhe një fuqi e madhe që ka prezencën e vet në Shqipëri qysh prej vitit 2019, lindi nga diskutimet për një bashkëpunim strategjik në krijimin e këtij operatori të ri, i cili do të marrë përsipër garantimin e rezervës strategjike të naftës.

Përmes këtij partneriteti, Shqipëria nuk do të ketë asnjë dilemë për çfarëdo krize që mund të paraqitet në aspektin e rezervës strategjike.

Kemi nisur një proces dialogu, që na ka sjellë sot në formësimin e këtij hapi të parë dhe në zyrtarizimin e procesit të krijimit të kompanisë.

Kompania, siç e tha edhe administratori i Eni-t, është një risi, por nga ana tjetër, duke pasur parasysh se kemi nga njëra anë bazën shumë solide të vetë Eni-t dhe nga ana tjetër dijen e ekipit drejtues të Eni-t, ajo ka mundësi të bëhet një model i ri për qasjen ndaj tregut jo vetëm kombëtar, por edhe rajonal të hidrokarbureve.

Ajo mund të jetë një tjetër kompani në vazhdën e atyre kompanive që ne po krijojmë me pjesëmarrjen e shtetit shqiptar“, tha Rama.

Më tej, Rama shtoi se synohet që pa hyrë gushti, të kryhet edhe regjistrimi i kompanisë.

“Me firmosjen e këtij memorandumi hapim rrugën për të realizuar atë që pa hyrë gushti, të rikthehemi këtu për të deklaruar regjistrimin e kësaj kompanie të re që do të jetë aleat shumë i rëndësishëm i publikut shqiptar dhe garant i rëndësishëm i së nesërmes falë këtij partneriteti të ngushtë me Italinë dhe ekselencës që është Eni”, tha kryeministri.

Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj tha se se kjo marrëveshje lidhet me zhvillimin ekonomik sepse furnizimi i sigurt me naftë dhe energji nënkupton garantimin e sigurisë.

“Jemi këtu për të firmosur një marrëveshje të rëndësishme, e cila forcon marrëdhënien që qeveria shqiptare dhe qeveria italiane kanë dhe marrëveshja është me një nga kompanitë ekselencës në fushën e energjisë, një kompani italiane, e cila është ekselencë botërore, Eni. Ambicia jonë është që të krijojmë ekselencë në këtë treg dhe kjo ka nevojë për studim të thelluar, të dhëna që duhet të jenë të bauzara në fakte dhe analiza të ekspertëve të kësaj fushe.

Ne do të bëjmë vlerësime të plota teknike, ligjore e financiare që në harkun kohor të 3 muajve të kemi një ide dhe plan biznesi të strukturuar për një kompani të strukturuar që u përgjigjet nevojave të tregut të brendshëm. Krijimi i kësaj kompanie është me synimin për ta kthyer shtetin në fitimprurës. Duam të krijojmë kompani shtetërore që përdorin kapacitetet shtetërore dhe rrisin të ardhurat në ekonomi”, tha ministrja.

Ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Enea Karakaçi, u shpreh se kjo qasje afron Shqipërinë me standardet e Bashkimit Evropian.

“Kjo reformë e afron Shqipërinë me standardet europiane sepse përafron legjislacionin. Mund të përbëjë një instrument të rëndësishëm për forcimin e sistemeve, magazinimit dhe stoqeve. Sot po marrin hapin e duhur për të studiuar me seriozitet të gjitha alternativat për zhvillim. Shqipëria po ndërton sot themelet e një sigurie energjitike”, u shpreh ministri.

/tvklan.al