Kombëtarja shqiptare do të përballet këtë të enjte, 12 nëntor, me Finlandën, në një ndeshje vendimtare për të konsoliduar vendin e parë në Grupin C1 të Ligës së Kombeve.

Të besuarit e Rolando Maran vijnë si kryesues me 9 pikë dhe kërkojnë të shfrytëzojnë mbështetjen e një stadiumi plot për një “hakmarrje” ndaj nordikëve për humbjen e vetme 2-1 të pësuar një muaj më parë në Helsinki.

Ndonëse në atë takim Shqipëria kaloi e para në avantazh me anë të Rey Manaj, ndeshja u kushtëzua nga dalja me karton të kuq e portierit Etrit Berisha, çka i lejoi finlandezëve të përmbysnin rezultatin përmes dy goditjeve standarde të ekzekutuara nga Valta.

Kjo sfidë është gjithashtu një mundësi e artë për të thyer tabunë historike, pasi suksesi i fundit kuqezi ndaj Finlandës daton në vitin e largët 1980, ndërkohë që bilanci i përgjithshëm i përballjeve anon nga nordikët me 5 fitore në 8 takime.

Një fitore në këtë përballje do t’i jepte Shqipërisë qetësinë e duhur përpara transfertës së fundit dhe vendimtare kundër Bjellorusisë, e cila luhet vetëm tre ditë më vonë.

Shqipëri-Finalndë, do të luhet mbrëmjen e kësaj të enjte, duke nisur nga ora 20:45 dhe transmetohet ekskluzivisht në Tv Klan.

/tvklan.al