Ndeshja në Arenën Kombëtare është shansi i fundit që Finlanda të shpresojë vendin e parë në grupin C1 të Ligës së Kombeve.

Kështu e konsideroi trajneri i nordikëve Jakob Friis, i cili foli me bindje për një fitore të mundshme.

“Kjo ndeshje është si një finale për ne. E respektojmë kundërshtarin dhe shpresojmë që të jetë një sfidë e bukur. Por duam që ta fitojmë dhe të garantojmë vendin e parë në grup. E dimë që nuk do të jetë e lehtë edhe për shkak të mbështetjes së tifozëve, por jemi përgatitur mirë”, tha trajneri i Finlandës Jacob Friis.

Në fjalën e tij, 49-vjeçari vlerësoi maksimalisht Shqipërinë dhe pranoi se rezultati i ndeshjes së parë nuk ishte i drejtë.

“Ai karton i kuq që mori Shqipëria prishi planet tuaja. Është e vërtetë ajo që thoni ju se ndoshta meritonit më shumë në atë ndeshje, por i tillë është futbolli. Ne lamë shumë hapësira dhe Shqipëria krijoi aksione të rrezikshme edhe në pjesën e dytë. Nuk duhet ta bëjmë më këtë gabim”, tha Friis.

Finlanda zhvilloi stërvitjen e fundit në stadiumin “Arena Kombëtare”, ku trajneri Friis pa nga afër gjendjen e futbollistëve për të vendosur formacionin me të cilin do të zbres në fushën e lojës.

/tvklan.al