Kombëtarja shqiptare zhvilloi sot paradite stërvitjen e fundit zyrtare përpara ndeshjes kundër Finlandës. Grupi i futbollistëve ishte i plotë dhe 27 lojtarët e grumbulluar nga Maran u stërvitën rregullisht duke dhënë sinjale pozitive.

Në këtë mënyrë italiani ka luksin për të zgjedhur formacionin, edhe pse nuk pritet që të bëjë shumë eksperimente në krahasim me sfidat e mëparshme.

Kombëtarja do të luajë me skemën 3-4-2-1, e cila duket e preferuara e Maran. Në portë do të rikthehet Etrit Berisha, i cili humbi sfidën me San Marinon për shkak të kartonit të kuq në Finlandë.

Në mbrojtjen me tre do të luajnë Gjimshiti, Ismajli dhe Mitaj. Duket se ky i fundit ka fituar balotazhin me Ajetin.

Në linjën e mesfushës me katër, Hysaj do të luajë djathtas, Asllani me Ramadanin në qendër dhe Pilo në të majtë.

Risia e vetme në formacion është Qazim Laçi, mesfushori që do të luajë nga minuta e parë në vend të Arbër Hoxhës, i cili nuk është në formë optimale.

Ernest Muçi gjithashtu do të japë kontributin e tij në repartin e avancuar në mbështetje të Rei Manajt.

Kombëtarja do të synojë patjetër fitore për të siguruar vendin e parë në grupin C1 të Ligës së Kombeve.

Sfida me Finlandën do të luhet ditën e nesërme në orën 20:45 dhe 3 ditë më vonë dueli i fundit në transfertë me Bjellorusinë. Të dyja ndeshjet do të transmetohen në TV Klan.

/tvklan.al