Shembet pallati i bombarduar nga izraelitët në Gaza/ 21 të vdekur, mes tyre gra e fëmijë
Të paktën 21 persona kanë humbur jetën, mes tyre 12 fëmijë dhe pesë gra, nga shembja e një pallati në Tal al-Haëa, në Gaza.
Ndërtesa gjashtëkatëshe, e dëmtuar nga sulme të mëparshme izraelite, u shemb gjatë natës mbi banesa dhe tenda pranë saj.
Sipas autoriteteve lokale, në ndërtesë jetonin më shumë se 100 persona të zhvendosur. Ekipet e shpëtimit nxorën 21 trupa nga rrënojat, ndërsa 45 persona të tjerë u dërguan në spital.
Zyrtari i Mbrojtjes Civile Mahmoud Bassal tha se banorët vazhdojnë të qëndrojnë në ndërtesa të dëmtuara, për shkak të mungesës së banesave dhe tendave.
Netanyahu: Do dënohen ata që shpifin për ushtrinë izraelite
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka njoftuar se synon të paraqesë dy projektligje kundër personave që, sipas tij, shpifin ndaj ushtrisë izraelite.
Njëri projektligj parashikon mundësinë e heqjes së shtetësisë për personat që akuzohen për shpifje ndaj ushtarëve të IDF-së. Projektligji i dytë do të rrisë ndjeshëm dëmshpërblimet financiare për rastet e shpifjes.
Netanyahu përmendi mes kritikëve Yair Golanin, ish-prokuroren ushtarake Yifat Tomer-Yerushalmi dhe regjisorët e filmit “Naza”.
Ai tha se pret mbështetje të gjerë në Knesset për masat e propozuara.
Përleshje pranë Bab al-Mandeb, qeveria e Jemenit: U sollëm humbje të mëdha Houthive
Milicia jemenase “Southern Giants Forces” pretendon se u ka shkaktuar humbje të mëdha forcave Houthi në përleshjet pranë ngushticës Bab al-Mandeb.
Luftimet raportohet se janë zhvilluar në frontin e Kahboub. Forcat qeveritare deklarojnë se kanë shkaktuar humbje të konsiderueshme në njerëz dhe pajisje.
Përplasjet ndodhin në një zonë strategjike pranë ngushticës që lidh Detin e Kuq me Gjirin e Adenit.
Araghchi: Mbështesim zgjidhjet diplomatike
Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi deklaroi se Irani mbështet zgjidhjet diplomatike, ndërsa është i gatshëm të mbrojë sovranitetin e vendit.
Gjatë një takimi në Pekin me homologun kinez Uang Yi, Araghchi tha se Teherani ka nisur dialogun me vendet fqinje për rikthimin e qetësisë në rajon. Ai theksoi se Irani do të mbrojë parimet dhe të drejtat e popullit iranian.
Sipas Ministrisë së Jashtme iraniane, Teherani synon forcimin e marrëdhënieve miqësore dhe paqësore me vendet fqinje. Deklaratat vijnë në një kohë tensionesh të larta në rajon.
Suedia dëbon zyrtar të ambasadës iraniane
Ministria e Jashtme e Suedisë njoftoi se ka thirrur ambasadorin e Iranit dhe ka kërkuar që një zyrtar i ambasadës iraniane në Stokholm të largohet nga vendi. Ministria e justifikoi vendimin duke përmendur “aktivitet të papajtueshëm me Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike”, pa dhënë detaje të tjera.
Ministri i Drejtësisë, Gunnar Strommer, i tha AFP-së se Irani ka kryer “aktivitete që kërcënojnë sigurinë në dhe kundër Suedisë, duke shënjestruar individë që kundërshtojnë regjimin iranian si dhe interesa të ndryshme hebraike dhe izraelite në vendin tonë”.
“Së bashku me të tjera, kjo është bërë duke përdorur rrjete kriminale”, shtoi Strommer.
Shërbimi i Sigurisë së Suedisë (Sapo) më herët ka akuzuar Iranin se ka rekrutuar anëtarë të bandave kriminale për të kryer “akte dhune” kundër interesave izraelite dhe të tjera në Suedi, një pretendim që Irani e ka mohuar.
Jemeni dënon përpjekjen e Houthive për të goditur Mekën me dron
Ministria e Jashtme e Jemenit dënoi përpjekjen e forcave Houthi për të goditur Mekën me dron, të cilin mbrojtja ajrore saudite thotë se e ka interceptuar dhe shkatërruar në jug të qytetit, përpara se të hynte në hapësirën ajrore të kufizuar të kryeqytetit të shenjtë.
Ministria e cilësoi përpjekjen si një “shkelje flagrante” të sovranitetit saudit dhe një sulm qytetit më të shenjtë të Islamit, duke e përshkruar si vazhdimësi të qasjes armiqësore të Houthive dhe përpjekjeve të mëparshme për të goditur Mekën.
Houthit mohuan akuzën, duke e quajtur një “gënjeshtër të neveritshme”.
Ministria e Jashtme e Jemenit tha se ky përshkallëzim, së bashku me sulmet e fundit ndaj qyteteve dhe infrastrukturës saudite, nxjerr në pah kërcënimin e grupit mes mbështetjes së vazhdueshme iraniane, që sipas saj është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për ta kthyer Jemenin në një mjet të interesave të Teheranit.
Ministria riafirmoi solidaritetin e Jemenit me Arabinë Saudite dhe mbështeti të drejtën e saj për të marrë masa për mbrojtjen e sovranitetit dhe vendeve të shenjta sipas ligjit ndërkombëtar, duke lavdëruar mbrojtjen ajrore saudite për interceptimin e dronit.
Ajo bëri përgjegjës Houthit dhe Iranin për sulmet dhe bëri thirrje për një përgjigje të bashkuar arabe, islame dhe ndërkombëtare, përfshirë ndërprerjen e furnizimit me armë për grupin, zbatimin e rezolutave të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe mbështetjen e qeverisë së njohur ndërkombëtarisht të Jemenit për rikthimin e autoritetit shtetëror në mbarë vendin.
Izraeli bombardon Mansourin, Beit Yahoun dhe Aita al-Jabal në Libanin Jugor
Artileria izraelite ka bombarduar Mansourin në rrethin e Tirit, ku predhat goditën qendrën e qytetit, sipas Agjencisë Kombëtare të Lajmeve të Libanit.
Po ashtu, artileria izraelite ka goditur edhe qytetet Beit Yahoun dhe Aita al-Jabal në rrethin Bint Jbeil, njoftoi agjencia.
Një i vrarë & dy të plagosur nga sulmet izraelite në Gaza
Granatimet izraelite në lagjen Tuffah të Gazës kanë vrarë një palestinez dhe kanë plagosur dy të tjerë, ka bërë të ditur një burim nga shërbimet e ambulancës dhe emergjencës për Al Jazeera.
Houthit pretendojnë sulme në objektet e naftës në Arabinë Saudite
Houthit e Jemenit kanë deklaruar se kanë goditur objektet e naftës në qytetin port të Arabisë Saudite, Yanbu, si dhe bazën ajrore Khamis Mushait. Grupi tha se sulmet ishin përgjigje ndaj një breshërie raketash të lëshuara nga Arabia Saudite mbi pozicionet e tyre këtë javë.
“Së pari u godit objekti i Aramcos në Yanbu me dhjetëra raketa balistike dhe dronë; sulmet ishin të sakta dhe të drejtpërdrejta, falë Allahut, duke shkaktuar zjarre të mëdha dhe shkatërrim të gjerë. Së dyti u godit baza ajrore Khamis Mushait me një numër raketash balistike, dhe sulmet ishin gjithashtu të sakta, falë Allahut”, thuhet në deklaratën e forcave ushtarake të Houthive.
Arabia Saudite nuk ka komentuar mbi këto pretendime.
Përshkallëzohen luftimet në Jemenin Perëndimor

Përplasjet mes forcave qeveritare të mbështetura nga Arabia Saudite dhe Houthive janë intensifikuar në perëndim të Jemenit, të shoqëruara me sulme ajrore. Luftimet kryesore u zhvilluan në lindje të al-Balaq dhe në zonën strategjike të maleve Kahboub pranë Bab al-Mandeb, ku Houthit synojnë të avancojnë pas marrjes së ishullit Mayyun dhe distriktit Dhubab.
Në Taiz, fronti më i paqëndrueshëm, trupat qeveritare zmbrapsën një sulm të madh. Përshkallëzimi ka shkaktuar krizë humanitare, me rreth 125,000 persona të zhvendosur që nga fillimi i raundit aktual të luftimeve, sipas OKB-së, e cila paralajmëron për përkeqësim të kushteve ndërsa luftimet përhapen në zona më të gjera.












Botërori 2026 
