Seanca gjyqësore ndaj ish-presidentit Ilir Meta dhe Monika Kryemadhit në Gjykatën e Posaçme është shtyrë sërish sot më 24 shtator. Shkak për shtyrjen ishte mungesa e një prej anëtareve të trupit gjykues, duke bërë që procesi të mos vijonte sipas parashikimit.
Në nisje të seancës, gjykata kërkoi që avokati i Ilir Metës, Bujar Musta, të shprehej lidhur me situatën e krijuar nga bojkoti i avokatëve. Gjatë komunikimit me gjyqtarin e çështjes, Erion Bani, avokati u pyet nëse do të ishte i gatshëm të merrte pjesë në proces nëse nuk do të ekzistonte kjo situate, raporton gazetarja e Klan News Glidona Daci.
Musta konfirmoi se do të ishte i pranishëm dhe do të vijonte detyrën e tij të mbrojtjes. Në vijim, gjyqtari Bani kërkoi të sqarohej nëse avokati kishte qenë subjekt i ndonjë kërcënimi, duke kërkuar që kjo rrethanë të dokumentohej nëse ishte e vërtetë.
Pas kësaj, fjalën e mori ish-presidenti Ilir Meta, i cili deklaroi se dëshiron që procesi gjyqësor të vijojë dhe se situata e krijuar nuk ka ardhur si pasojë e veprimeve të tij apo të avokatit të tij. Sipas Metës, mbrojtësi i tij ndodhet përballë një përplasjeje mes kërkesave të gjykatës dhe qëndrimit të Dhomës Kombëtare të Avokatisë.
Meta argumentoi se avokati nuk mund të marrë përsipër një veprim, që mund t’i sjellë pasoja në licencën profesionale. Ai kundërshtoi gjithashtu mundësinë e zëvendësimit të avokatit, duke theksuar se një mbrojtës ligjor i ri do të kishte nevojë për kohë për t’u njohur me materialet e dosjes.
Sipas Metës, bëhet fjalë për 55 fashikuj që tashmë janë marrë në shqyrtim dhe ndryshimi i avokatit do ta zgjaste më tej procesin. Seanca e radhës do të mbahet më 1 tetor.
/tvklan.al












Botërori 2026 
