Po shkon drejt normalizimit situata e zjarreve në vend. Shuhen zjarret në Malin e Gjerë të cilat rrezikonin edhe Gjirokastrën.

Operacioni zjarrfikës, për shuarjen e zjarreve në Malin e Gjerë ka përfunduar duke fikur plotësisht të 4 vatrat. Në këto vatra forcat e zjarrëfikësave dhe të emergjencave civile, po luftonin me flakët prej orëve të para të mëngjesit të të premtes. 

Rreth 100 efektivë zjarrfikës, ushtrisë dhe vullnetarë ndërhynë me pompa shpine dhe mjete rrethanore për shuarjen e flakëve me një perimetër 12 km.

Forcat e emergjencave civile, vazhdojnë të monitorojnë situatën për të shmangur çdo mundësi riaktivizimi.

Sipas raportimit të ministrisë së Mbrojtjes tashmë kanë mbetur aktive vetëm dy vatra zjarri. Një prej tyre është në fshatin Kakodhiq në bashkinë e Delvinës, ku po vijon aksioni për shuarjen e flakëve me forcat e bashkisë, efektivët e Forcave të Armatosura, forca shtesë zjarrfikësish nga Berati, por edhe dy avionë nga Greqia.

Po ashtu operacioni vazhdon edhe pranë liqeneve të Lurës në Dibër.

Autoritetet bëjnë thirrje për kujdes të shtuar gjatë këtyre ditëve me temperatura të larta, në mënyrë që të shmangen zjarret, të cilat gjatë kësaj jave kanë qenë shumë problemaike në Dropull dhe në Finiq.

Klan News