Presidenti i Shtetit të Izraelit, Isaac Herzog e mbylli vizitën e tij të parë në Shqipëri në Memorialin e Holokaustit në Parkun e Liqenit të Tiranës.

Ai u shoqërua nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili tha se në një ditë si kjo jo vetëm Shqipëria, por e gjithë bota reflekton mbi Holokaustin, në mënyrë që ngjarje të tilla të mos përsëriten më.

“Pavarësisht nëse je kryetar bashkie, president, ambasador, madje edhe tregtar i thjeshtë… duhet të kuptojmë se ato që themi sot, ndoshta nuk shkaktojnë vërtet përçarje apo përplasje fizike të atëçastshme, por në afatgjatë, e helmojnë shoqërinë. Është si kanceri që zhvillohet dalëngadalë, pa u ndier, qelizë pas qelize, derisa vjen një moment që mund të jetë tepër vonë, nëse nuk bën kontrollet e rregullta për ta identifikuar dhe marrë masat e duhura më parë. Prandaj, është shumë e rëndësishme të mos i përsërisim gabimet e së shkuarës, por të mësojmë prej tyre”.

Presidenti Herzog shprehu mirënjohjen e tij ndaj shqiptarëve që shpëtuan hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

“Sot, ndërsa vala e urrejtjes, antisemitizmit dhe terrorit, është kthyer sërish kundër hebrenjve në mbarë botën dhe në Izrael, Shqipëria zgjeron më tej traditën e saj të tolerancës, dinjitetit, dhe respektit. Falenderoj mbarë kombin shqiptar dhe ju falenderoj juve, i nderuar kryetar bashkie, dhe qytetin tënd, për një miqësi kaq të pabesueshme, të frytshme dhe të fortë. Ky vend ka mbetur një fener i vullnetit të mirë dhe mirësjelljes. Shqipëria na kujton se hebrenjtë dhe myslimanët, bektashinjtë dhe të krishterët, mund të jetojnë së bashku në harmoni dhe respekt të ndërsjellë. Përvoja shqiptare dëshmon se paqja mes njerëzve është e mundur”.

Teksa kujtoi rolin e rëndësishëm që luajti Shqipëria gjatë luftës, duke u bërë shtëpia e qindra hebrenjve, kryebashkiaku i Tiranës u bëri thirrje qytetarëve të bashkohen kundër padrejtësive për një botë më të drejtë.

Klan News