Detaje të reja lidhur me vrasjen e 34-vjeçarit Eglant Koçi, trupi i pajetë i të cilit u gjet ditën e djeshme, 18 qershor.
Nga këqyrja paraprake e trupit është konstatuar një plagë tejshpuese në pjesën e pasme të kokës, e dyshuar se është shkaktuar nga arma e zjarrit. Trupi i të riut është dërguar në morg, ku do t’i nënshtrohet një ekspertize më të detajuar mjeko-ligjore, raporton gazetari i Klan News, Besar Bajraktaraj.
Identifikimi i trupit, i gjetur në gjendje të avancuar dekompozimi në fshatin Cerrujë (midis Tiranës dhe Elbasanit), u bë nga familjarët e tij, pasi policia e lokalizoi atë me ndihmën e dronëve.
“Në territorin e fshatit Cerrujë, lagjia Domush, është gjetur në proces dekompozimi, një trup njeriu i seksit mashkull. Shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijojnë hetimet dhe verifikimet me qëllim identifikimin e shtetasit, si dhe zbardhjen e rrethanave të tjera të rastit“, njoftoi më herët Policia e Tiranës.
Koçi rezultonte i zhdukur prej dy javësh, ndërsa për këtë ngjarje është shpallur në kërkim shoku i tij i ngushtë, Armand Shakaj. Ky i fundit, ka ndërruar 6 numra telefoni për t’i shpëtuar lokalizimit nga policia. Numrat rezultojnë se janë në emër të tij dhe familjarëve që nga valët telefonike rezultojnë se janë përdorur në Tiranë.
Grupi i hetimit ka marrë në pyetje të vëllain e tij, në cilësinë e personit që mund të ketë dijeni për vendndodhjen e tij, por nuk ka treguar të dhëna për policinë. Mësohet se Shakaj makinën e tij tip Porche e ka lëvizur me karrotrec nga zona e bulevardit Zhan D’ark, deri pranë Ibës, me pretendimin se e ka me defekt.
Policia ka marrë në pyetje pronarin e karrotrecit i cili është shprehur se makinën e kishte dërguar në një servis, dhe se nuk dinte se çfarë ka pasur brenda. Brenda ambientit të zyrës së tij janë gjetur mbetje baruti, por që grupi hetimor pret përgjigjen e ekspertizës për të përcaktuar çfarë ka ndodhur.
/tvklan.al












Botërori 2026 
