Ka momente në karrierën e çdo portieri kur fati duket se i kthen shpinën. Për portierët, futbolli ka një rregull të pashkruar: gabimet mbeten gjatë në kujtesë, ndërsa ndërhyrjet e mëdha kalojnë në heshtje.
Një periudhë të tillë po kalon edhe Simon Simoni.
Portieri i Kombëtares shqiptare nuk e ka nisur në mënyrën e dëshiruar aventurën te Luzerni.
Debutimi ishte i qetë, por në javën e dytë të Superligës zvicerane ai u bë protagonist i një gafe pas një goditjeje të kundërshtarit, një episod që zbehu edhe disa pritje të rëndësishme me të cilat kishte mbajtur ekipin në lojë.
Dhe sikur kjo të mos mjaftonte, edhe fundjava solli një tjetër moment të vështirë. Simoni nuk arriti ta kontrollonte topin në një aksion, duke i dhënë mundësi kundërshtarëve të shënonin.
Dy gabime në pak ndeshje kanë mjaftuar që në Zvicër të lindin diskutimet nëse shqiptari duhet të vazhdojë të jetë zgjedhja e parë mes shtyllave të Luzernit. Pas ndeshjes ai u largua në lot dhe duke mbuluar fytyrën me fanellë.
Megjithatë, brenda klubit atmosfera është krejt ndryshe. Shokët e skuadrës i kanë qëndruar pranë portierit shqiptar, ndërsa trajneri Udo Portmann i ka dalë publikisht në mbrojtje.
Mbështetja nuk ka munguar as nga kapiteni i ekipit rival, St.Gallen Lukas Gortler i cili i jep kurajo 22-vjeçarit:
“Ai është një djalë i mirë dhe një portier i mirë. Si një lojtar më i vjetër me zemër futbollisti, padyshim që nuk jam i kënaqur me këtë. Shpresoj që ai të dalë nga kjo krizë”, tha kapiteni i ST.Gallen, Lukas Gortler.
Futbolli i ka provuar gjithmonë karakteret e mëdha në momentet më të vështira. Simon Simoni ka cilësitë dhe talentin për ta lënë pas këtë periudhë dhe për të rikthyer besimin me punë dhe paraqitje në fushë.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 
