Siria ka rënë dakord të ulë në mënyrë drastike importet e naftës ruse, si pjesë e diskutimeve të vazhdueshme me Shtetet e Bashkuara për heqjen e sanksioneve të fundit të mëdha ndaj Damaskut, raporton Reuters.
Siria është ende pjesë e listës së Uashingtonit si një shtet sponsorizues i terrorizmit dhe ky përcaktim është i vetmi sanksion që është ende në fuqi pas rrëzimit të ish-presidentit Bashar al-Assad dhe kthesës së vendit drejt aleatëve perëndimorë.
Sipas një burimi sirian që foli për Reuters, zyrtarët amerikanë u kishin thënë homologëve të tyre në Damask se ndërprerja e blerjeve të naftës ruse do të “përmirësonte shanset për heqjen e përcaktimit si shtet sponsorizues i terrorizmit shpejt dhe pa ndërlikime”.
Gjatë diskutimeve, Uashingtoni kërkoi dhe mori një angazhim nga Siria për të ulur në mënyrë drastike importet e naftës ruse.
Reuters raporton se ulja e importeve të naftës ruse do të përfaqësonte një ndryshim të madh në politikën energjetike në Siri. Një zyrtar i Departamentit të Shtetit, i cituar nga Reuters, tha se Uashingtoni po “e inkurajonte Sirinë të punonte me partnerë të besuar të korporatave – veçanërisht firmat amerikane – gjatë procesit të rimëkëmbjes dhe rindërtimit të vendit” dhe priste që Siria të zbatonte sanksionet amerikane ndaj Rusisë.
Sipas të dhënave të Reuters, dërgesat e naftës ruse në Siri u rritën me 75% në rreth 60.000 fuçi në ditë këtë vit. Një zyrtar sirian tha për agjencinë e lajmeve se Siria importon naftë ruse sepse nuk ka alternativa të tjera, për sa kohë është pjesë e listës së shteteve që sponsorizojnë terrorizmin.
Siria është një nga vetëm katër vendet në këtë listë të Uashingtonit, bashkë me Kubën, Iranin dhe Korenë e Veriut.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 