Shkrimtari i njohur spanjoll, Javier Cercas, ka kërkuar hapur dorëheqjen e kryeministrit Pedro Sánchez, duke e konsideruar të papranueshme që ai të qëndrojë në pushtet pas përfshirjes së bashkëpunëtorëve të tij më të afërt në skandale korrupsioni.
“Duhet të japë dorëheqjen? Pa asnjë dyshim: po”, shkruan ai në një artikull opinion të publikuar në gazetën El País, me titullin “Fitorja më e madhe e Pedro Sánchez”.
Sipas Cercas, kreu i qeverisë nuk ka më legjitimitet për të qeverisur, ndërkohë që dy prej bashkëpunëtorëve të tij kryesorë janë nën hetim për pjesëmarrje në një organizatë kriminale, njëri prej të cilëve tashmë është në burg. Ndërkohë, edhe bashkëshortja, vëllai dhe Prokurori i Përgjithshëm i Shtetit janë nën hetim për çështje të tjera penale.
Ai kujton shembullin e ish-kryeministrit portugez António Costa, i cili dha dorëheqje sapo u informua se dy persona të afërt të tij ishin arrestuar. Për Cercas, “dinjiteti i funksionit të një kryeministri është i papajtueshëm me çdo dyshim mbi integritetin.”

Cercas kritikon edhe argumentin e përdorur nga Sánchez, që ka refuzuar dorëheqjen për të mos lënë vendin në duart e së djathtës, duke e cilësuar atë “të rremë dhe antidemokratik”. “Çfarë është më e rëndësishme: e majta apo demokracia?”, pyet ai.
Megjithatë, Cercas nuk kërkon zgjedhje të parakohshme, por një zgjidhje për stabilitet: largimin e Sánchez dhe kalimin e qeverisë në dorën e një tjetër drejtuesi socialist, që mund të rikthejë besimin në Kongres dhe të mbajë koalicionin.
Ai sugjeron edhe një marrëveshje të përkohshme mes PSOE-së dhe PP-së për të përmbyllur mandatin deri në vitin 2027 dhe për të realizuar reformat e nevojshme.
Kujtojmë se të hënën e 30 qershorit, Gjykata e Lartë në Madrid vendosi masën e arrestit me burg për ish-sekretarin e Organizimit të Partisë Socialiste Punëtore Spanjolle (PSOE), Santos Cerdán, pas dëshmisë së tij të dhënë këtë të hënë për përfshirjen e dyshuar në një skemë korrupsioni që përfshin ryshfete dhe manipulime në tendera publikë./tvklan.al












Botërori 2026 
