Gjykata e Lartë në Madrid ka vendosur masën e arrestit me burg për ish-sekretarin e Organizimit të Partisë Socialiste Punëtore Spanjolle (PSOE), Santos Cerdán, pas dëshmisë së tij të dhënë këtë të hënë për përfshirjen e dyshuar në një skemë korrupsioni që përfshin ryshfete dhe manipulime në tendera publikë. Gjykata argumentoi se ekziston rreziku i shkatërrimit të provave, edhe pse nuk u vlerësua si i lartë rreziku për arratisje.

Sipas aktit të gjykatës, Cerdán dyshohet se ka mbajtur rolin e ndërmjetësit kryesor në një rrjet të mirëorganizuar ku përmes ryshfeteve përfitoheshin kontrata publike. Sipas hetuesve, ai grumbullonte ryshfetet nga kompanitë ndërtuese dhe ia shpërndante më pas ish-ministrit José Luis Ábalos dhe ish-këshilltarit të tij, Koldo García.

Në bazë të dokumentit gjyqësor, provat kryesore kundër tij janë regjistrimet audio të bisedave që konsiderohen të besueshme dhe komprometuese. Në njërën prej tyre, Cerdán thuhet se qortonte Koldo García-n, duke i kujtuar se “për këto gjëra nuk flitet, shkruhen në letër dhe më pas shkatërrohen”.

Cerdán, i cili ka mohuar çdo akuzë dhe ka pranuar të përgjigjet vetëm ndaj avokatit të tij, ka kërkuar që regjistrimet audio të analizohen nga ekspertë të pavarur, duke pretenduar se janë nxjerrë nga konteksti. Ai ka pohuar se është bërë shënjestër për shkak të rolit të tij politik, sidomos për angazhimin në negociatat me partitë baske dhe katalanase, EH Bildu dhe Junts per Catalunya.

Prokurori i posaçëm për Antikorrupsionin, Alejandro Luzón, i ka cilësuar deklaratat e Cerdán si të “dobëta, të njëanshme dhe viktimizuese”. Ai ka kërkuar që Cerdán të mbahet në burg pa të drejtë lirimi me garanci. Ndërkohë, për Ábalos dhe García, prokuroria nuk ka kërkuar masën e arrestit dhe ata vazhdojnë të hetohen në gjendje të lirë.

pedro sanchez
Pedro Sanchez

Pas këtij vendimi erdhi edhe reagimi i kryeministrit Pedro Sánchez, i cili është në krye të PSOE. Gjatë pjesëmarrjes në Konferencën e Katërt Ndërkombëtare për Financimin e Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara që po zhvillohet në Sevilje, ai u tha gazetarëve se partia e tij “ka vepruar siç duhej dhe tani është radha e drejtësisë”.

Ai theksoi gjithashtu gatishmërinë e plotë për të bashkëpunuar me organet e drejtësisë, duke nënvizuar se “PSOE nuk sillet si partitë e tjera”./tvklan.al