Emisioni “STOP” ka investiguar dhe zbuluar shkeljet flagrante të tenderit të lavanterisë nga Spitali i Durrësit.

Në tender morën pjesë 5 operatorë, por si për çudi fitoi “Sanitary Cleaning”, një bashkim i 3 kompanive, që rezulton problematik.

80% e dokumenteve të dorëzuara nga fituesi i tenderit nuk janë origjinale, në kundërshtim me procedurat ligjore.

Veç kësaj, një nga ortakët, “A.G. Laundry” në prokurën e posaçme të bashkëpunimit, e ka marrë vulën apostile dy ditë pas firmosjes së kontratës. Nga ana tjetër, Mimoza Deliu, aksionerja e firmës fituese ka probleme edhe me faturat tatimore e OSHEE. Juristja e prokurimeve dhe nëndrejtori i spitalit, Endrit Shehu mbeten pa tekst, kur u kërkohet shpjegim për shkeljet.

Spitali i Durrësit, në fillim të vitit 2017 ka kërkuar shërbimin e lavanterisë, pra një kompani private që merret me pastrimin e ndërresave të shtretërve, uniformave të mjekëve dhe infermierëve.

Tenderimi u bë pranë Agjencisë së Prokurimit Publik, ku morën pjesë 5 operatorë.

Më datë 26 Qershor 2017 u përzgjodh operatori fitues, kompania “Sanitary Cleaning”, e cila përbëhet nga 3 kompani. Shoqëria italiane “A.G.LAUNDRI” SRL mori përsipër të kryejë 60 % të shërbimeve, subjekti “MIMOZA DELIU”, si person fizik, 30% dhe “Sanitary Cleaning” ndërmori 10%.

Emisioni “STOP” provon që dokumentet nuk janë dorëzuar në bazë të ligjit të tenderit, pasi shumica e tyre nuk janë origjinale, por fotokopje.  

Prokura e Xhovana Leonardit nga shoqëria “A.G.LAUNDRI” SRL është totalisht në shkelje, pasi procedura është bërë më 24 Qershor 2017, ndërsa pajisja me vulë është bërë më 26 Qershor 2017.

Subjekti “MIMOZA DELIU” nuk ka kapacitetin e duhur për të zhvilluar shërbimin e lavanterisë, gjithashtu ka probleme në dokumentacionin që ka dorëzuar në OSSHE dhe faturat tatimore.

Ndërsa operatori i tretë, “Sanitary Cleaning” nuk ka dorëzuar kontratën origjinale të qerasë, por një fotokopje të saj.

Gazetari i emisionit “STOP” rikthehet në spitalin e Durrësit për të komunikuar me juristen e e prokurimeve dhe nëndrejtorin e spitalit, Endrit Shehun, në lidhje me fituesit e tenderit me vlerë 2 miliardë lekë ose 2 milionë dollarë.

Juristja e prokurimeve

Ti po më kërkon mua se si është bërë vlerësimi. Ai është kryetari i K.V.O – së …

Gazetari – Nëndrejtori?

Juristja e prokurimeve

Po. Njësia e prokurimit koordinon vetëm si ta them …

Gazetari – Hallkë lidhëse.

Juristja e prokurimeve –

Kjo është hallka lidhëse dhe nuk shikon as … si … çfarë dokumentesh ka sjellë filani fisteku.

Ndërsa nëndrejtori u shpreh se dokumentacioni i nevojshëm për tenderin e zhvilluar gjendet online.

“Komisioni jonë ka bërë vlerësimin e këtij tenderi, pas të cilit janë instanca të tjera ku është KPP, pastaj Gjykata Administrative, pra janë procedura varg që lidhen. Paraqitja e dokumenteve origjinale te ne nuk është bërë, pasi nuk është mbyllur procedura finale që të jetë firmosur kontrata me fituesin. Kështu që …  Gjithçka është parë nga një grup komisioni.”

Endrit Shehu pranon që ka qenë kryetar i Komisionit të Ofertave dhe i vendosur në pozitë të vështirë para pyetjeve të gazetarit thotë:

“Në momentin që ai sjell dokumente, të cilat dyshohen se nuk janë origjinale nga ana juaj, atëherë nuk lidhet kontrata.”

Ai gjithashtu shprehet se detyra e tij është të jetë mjek dhe si i tillë i ka vlerësuar operatorët për tenderin e shërbimit të lavanterisë në spitalin e Durrësit.

Por dy firmat e tjera pjesëmarrëse në tender janë ankuar për përzgjedhjen e operatorit fitues dhe Komisioni i Prokurimit Publik fillimisht pranoi ankesën e tyre. Por pasi dy firmat paguan nga 9 milionë lekë, komisioni, i përbërë nga Evis Shurdha, Leonard Gremshi, Hektor Balluku, Kleves Janku dhe Odise Moçka, e rishqyrtoi dhe vendosi se ankesa e dorëzuar pranë autoritetit kontraktor dhe K.P.P nuk ka respektuar afatet e ankimimit sikurse përcaktohet në ligj. /tvklan.al