Një imazh i vetëm ka trazuar opinionin publik spanjoll prej dy ditësh: ai i Santos Cerdán, ish-sekretari organizativ dhe numri tre i PSOE-së (Partisë Socialiste), duke hyrë në burgun e Soto del Real në Madrid me një furgon policie. Vendimi për arrestimin e tij u mor të hënën nga Gjykata e Lartë, në kuadër të hetimeve për një rast të dyshuar korrupsioni që më 12 qershor tronditi themelimet e partisë dhe çoi në dorëheqjen e ish-krahut së djathtë të kryeministrit Pedro Sánchez.

Cerdán, së bashku me ish-ministrin e Transportit, José Luis Ábalos dhe ish-këshilltarin e tij, Koldo García, akuzohet për pjesëmarrje në një rrjet tenderësh të manipuluar në këmbim të ryshfeteve. Hetimet janë fokusuar në veprat penale të organizimit kriminal, korrupsionit dhe ndikimit të paligjshëm.

Kjo situatë ka risjellë në kujtesë plagë të vjetra të politikës spanjolle, siç ishte skandali që në vitin 2018 rrëzoi qeverinë e Mariano Rajoy-n dhe solli në pushtet Sánchez-in. Tani, nën presionin e rritjes së temperaturave dhe një greve tre-ditore të sistemit gjyqësor që kundërshton reformën e qeverisë, vetë Sánchez gjendet sërish në qendër të krizës.

Pas hetimeve ndaj bashkëshortes dhe vëllait të tij, si dhe dështimit për të shfrytëzuar politikisht qëndrimin e tij kundër rritjes së shpenzimeve për NATO-n, çështja “Cerdán” mund të bëhet një goditje fatale për kryeministrin. Zëdhënësja e qeverisë Pilar Alegría ka mohuar çdo përfshirje të paligjshme të partisë, duke theksuar se përfituesit e ryshfeteve janë “persona të tjerë fizikë apo juridikë”.

Pavarësisht kërkesës për falje publike, qeveria këmbëngul të qëndrojë në pushtet deri në vitin 2027, edhe pse nuk ka arritur të miratojë buxhetin dhe përballet me kritika të ashpra nga opozita që kërkon dorëheqje dhe zgjedhje të parakohshme.

Partneri qeverisës Sumar, i udhëhequr nga zëvendëskryeministrja Yolanda Díaz, ka reaguar me shqetësim duke e quajtur situatën “shumë të rëndë” dhe “turpëruese”, duke e cilësuar si “një problem kombëtar”. Opozita, nën drejtimin e Alberto Núñez Feijóo nga Partia Popullore (PP), po kërkon të bindë partitë që mbështesin qeverinë për një mocion mosbesimi, por për momentin kjo është refuzuar nga Podemos, BNG (Blloku Nacionalist Galician) dhe ERC (partia e majtë pro pavarësisë së Katalonjës).

Nga ana tjetër, partia Junts e Carles Puigdemont, e djathta katalanase, ka sfiduar Feijóo-n të diskutojnë jashtë Spanjës, duke iu referuar faktit që lideri katalanas jeton në mërgim që nga viti 2017 pas një tjetër skandali financiar, pavarësisht amnistisë të miratuar së fundmi në parlamentin spanjoll. PP-ja e ka refuzuar këtë ftesë.

Sytë tani janë të drejtuar nga dy ngjarje kyçe që zhvillohen të shtunën: mbledhja e komitetit të PSOE-së që pritet të përcaktojë udhëheqjen e re të partisë, dhe konventa e jashtëzakonshme e PP-së, e thirrur nga Feijóo për të konsoliduar pozicionin e tij si kandidat për kryeministër.

Megjithatë, mbi politikën dypartiake spanjolle rëndon një hije e thellë korrupsioni, që këtë herë mund të përfitojë partia ultranacionaliste Vox, në rritje të qëndrueshme në sondazhe, duke e vendosur Spanjën përballë një rikonfigurimi të mundshëm politik dramatik./tvklan.al