Kryeministri spanjoll Pedro Sánchez ka bërë të ditur se do të paraqitet në Kongres për të folur mbi rastin e fundit të korrupsionit që ka përfshirë qeverinë, por data e mundshme është 9 korriku. Opozita e konsideron këtë afat të vonuar dhe kërkon shpjegime të menjëhershme.

Partia Popullore (PP) dhe forca e ekstremit të djathtë Vox kërkojnë menjëherë përgjigje për rastin që përfshin Santos Cerdán, ish-deputet, numri tre i Partisë Socialiste (PSOE) dhe sekretar organizativ i saj.

Cerdán dha dorëheqje nga të gjitha postet më 12 qershor, pasi u akuzua për menaxhimin e të paktën 620 mijë eurove ryshfet, në një skemë që përfshin edhe ish-ministrin e Transportit, José Luis Ábalos, si dhe këshilltarin e tij Koldo García, sipas një raporti të Njësisë Qendrore Operative të Gardës Civile.

Për pasojë, të martën shpërthyen tensione gjatë seancës plenare në Kongres, kur përfaqësuesi i Partisë Popullore, Miguel Tellado, kërkoi, duke iu referuar nenit 68.1 të Rregullores së Parlamentit, ndryshimin e rendit të ditës, një veprim që mund të ndërmerret nëse e kërkon një e pesta e deputetëve.

Për opozitën, kryeministri Sánchez duhet të japë dorëheqjen. Por ai u kundërpërgjigj: “Nëse zoti Feijóo dhe zoti Abascal duan të qeverisin, le të paraqesin një mocion mosbesimi”. Sánchez propozon ngritjen e një komisioni hetimor për të hetuar çështjen dhe përjashton mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme.

Në një letër drejtuar opinionit publik, kreu i qeverisë shpreh “dhimbje”, “indinjatë”, “tronditje” dhe “trishtim”. Ai thekson se ka kërkuar menjëherë dorëheqjen e Cerdán (i cili i ka mohuar akuzat), dhe se “asnjë parti nuk është e paprekshme nga turpi i korrupsionit”.

Megjithatë, ai mbron se “Spanja ka zyrtarë të korruptuar, por ka një Partinë Socialiste të pastër”. Sipas tij, synimi është të hapet një debat i thellë dhe se “nëse e djathta tërhiqet nga ky debat, është sepse prioriteti i saj është rrëzimi i qeverisë me çdo kusht”.

Partia Socialiste dhe qeveria mohojnë çdo përçarje të brendshme. Zëvendëskryeministrja dhe aleatja e Sánchez-it, Yolanda Díaz (nga koalicioni Sumar), përjashton daljen nga qeveria, por bën thirrje për masa më të ashpra kundër korrupsionit, përfshirë heqjen e imunitetit parlamentar dhe miratimin e një ligji që ndalon kompanitë e përfshira në skema korruptive të përfitojnë kontrata publike në të ardhmen./tvklan.al