Këtë të hënë, 9 shkurt, u mblodh në Kryesinë e Kuvendit grupi parlamentar i Partisë Socialiste.
I pranishëm ishte kreu i qeverisë, Edi Rama, dhe Belinda Balluku, e pezulluar nga detyra si ministre dhe zv.kryeministre, me vendim të GJKKO-së.
Pikërisht sa i takon çështjes “Balluku”, kryeministri ka ndarë 3 konkluzione nga gjithçka është diskutuar në mbledhjen me dyer të mbyllura. Fillimisht, ndalet te pezullimi nga detyra, që ai e thekson “paralizon jo vetëm funksionin, por edhe institucionin”.
3 konkluzione nga mbledhja e Grupit Parlamentar pas mosvendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe rivendosjes së pezullimit të ministres nga :
— Edi Rama (@ediramaal) February 9, 2026
1. Funksionet e padelegueshme kushtetuese, nga ai i anëtarit të qeverisë tek ai i Presidentit të Republikës dhe jo vetëm, nuk mund të…
Së dyti, bën me dije se grupi i PS-së do të angazhohet për zgjidhjen përmes ndërhyrjes në legjislacion, referuar këtu faktit që nuk u plotësua kuorumi i nevojshëm për marrjen e një vendimi nga gjyqtarët e Kushtetueses.
“Nisur edhe nga leximi i deklaratës publike të Gjykatës Kushtetuese, ku të gjithë anëtarët e trupës shfaqen unanimë lidhur me problemin, po ndahen tek rrugëzgjidhja, grupi parlamentar socialist do të angazhohet për zgjidhjen përmes ndërhyrjes në legjislacion“, thotë Rama.
Puna hetimore e Strukturës së Posaçme AntiKorrupsion (SPAK) thekson ai, nuk preket, paralelisht me pavarësinë e pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv.
“E vetmja palë e përmbushur nga rikthimi i pezullimit është SPAK-u, që në kushtet e pezullimit mund të vazhdojë krejt qetësisht hetimin përkatës, ndërkohë që deri në adresimin ligjor të zgjidhjes nuk ka asnjë urgjencë për të trajtuar kërkesën që SPAK-u bëri pas rënies së masës së pezullimit.
Një shtesë nga ana ime:
SPAK-u nuk preket, vetëm mbështetet. Liria dhe e drejta e çdo prokurori për të hetuar çfarëdoqoftë e këdoqoftë nuk preken, vetëm garantohen. Pavarësia kushtetuese e pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv, gjithashtu nuk preken. Vetëm garantohen”, nënvizohet më tej në postimin e tij fill pas mbledhjes. Kjo e fundit, nisi në orën 10:00.
Disa prej socialistëve që morën pjesë në mbledhjen e grupit:



















Vlen të theksohet se vetëm 3 ditë më parë, Gjykata Kushtetuese nuk arriti dot të merrte një vendim lidhur me padinë e qeverisë për çështjen e Ballukut.
Ndarja 4 me 4 e gjyqtarëve, bëri që ankimimi të rrëzohej dhe të rikthehej në fuqi masa e “pezullimit nga detyra” për ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Më herët, Rama e cilësoi “shembull të një budallallëku botëror”, mos marrjen e vendimit nga Gjykata Kushtetuese, duke e bërë të qartë se beteja ligjore do të vijojë. Ai ka deklaruar se “lajthitjet e drejësisë” kanë çuar në shifra alarmante sa i takon masave shtrënguese pa gjyq në Shqipëri.
“Që të jemi shumë të qartë, pavarësisht se qartësia është një luks i rrallë, që vështirë ta gjesh në turbullirën e 700 tenxhereve mediatike e politike, ministrja nuk akuzohet për korrupsion!
Ne do ta vazhdojmë këtë betejë, ku na thirri me pahir qartja antidemokratike e vendimit për pezullimin e një anëtari qeverie, e ku fatkeqësisht na mban akoma sot pafuqia e Kushtetueses për të marrë një vendim të thjeshtë, dhe një vendim po aq të nevojshëm për të mos e lënë Shqipërinë vendin e vetëm në planet, ku sot aktualisht, me këtë brutalitet të rilegjitimuar nga kjo mosvendimmarrje, vetë Presidenti i Republikës mund të pezullohet nga i pari prokuror që gdhihet me këtë ide në kokë”, u shpreh Rama, gjatë podcast-it të tij, më 8 shkurt.
Kjo mbledhje, që në fakt është e përjavshme, u zhvillua para vizitës së kryeministrit në Bruksel, ku pritet të takojë Antonio Costa-n, Presidentin e Këshillit Europian.












Botërori 2026 
