Në podcastin e tij “Flasim”, si çdo të dielë, kryeministri Edi Rama u prononcua për momentet më kyçe të javës politike.

Sot, 8 shkurt, u ndal fillimisht te vizita e tij në Vatikan, duke thënë se ishte me peshë të veçantë prezantimi i tij me Papa Leonin XIV.

“Një njeri me dritë dhe mirësi të thellë. Folëm për Shqipërinë, rajonin, botën dhe që e ftova të jetë i pranishëm në festën e madhe, për 130-vjetorin e shpalljes së Zojës së Këshillit të Mirë, mbrojtësja e Shqipërisë. Nuk e di a do të jetë e mundur, por ftesa u bë dhe Papa u shpreh shumë i interesuar”, bëri me dije Rama.

Pagat e gjyqtarëve

Më tej, foli për debatin e madh të kohëve të fundit për pagat e gjyqtarëve.

“Pretendojnë se ne duam t’u ulim pagat dhe në një insistim krejt të pajustifikueshëm, thonë se pagat e tyre po ulen për shkak se pagat e të tjerëve po rriten. Ajo që kemi bërë me reformën në drejtësi, ka qenë shprehja e vullnetit të fortë edhe në drejtim të rritjes së pagave për gjyqtarët”, tha kreu i qeverisë, duke shtuar se “kështu u thye piramida e pagave”.

“Gjykatësit nuk mund të kenë një rritje pagash të përjetshme mbi të tjerët. Shpresoj që Kushtetuesja t’i vërë vulën njëherë e mirë këtij debati absurd që e dëmton besueshmërinë  e gjykatësve, padrejtësisht. Nuk janë të gjithë, janë një përfaqësi, që ka vajtur në Gjykatë Kushtetuese, ne jemi palë dhe kundër, fuqimisht kundër idesë, jo kundër tyre”, theksoi kryeministri.

Vendimi i GJK për Belinda Ballukun

“Shembull i parë i një budallallëku botëror”, e quajti vendimin e Kushtetueses për çështjen e Belinda Ballukut.

“Që të jemi shumë të qartë, pavarësisht se qartësia është një luks i rrallë, që vështirë ta gjesh në turbullirën e 700 tenxhereve mediatike e politike, ministrja nuk akuzohet për korrupsion!

Ne do ta vazhdojmë këtë betejë, ku na thirri me pahir qartja antidemokratike e vendimit për pezullimin e një anëtari qeverie, e ku fatkeqësisht na mban akoma sot pafuqia e Kushtetueses për të marrë një vendim të thjeshtë, dhe një vendim po aq të nevojshëm për të mos e lënë Shqipërinë vendin e vetëm në planet, ku sot aktualisht, me këtë brutalitet të rilegjitimuar nga kjo mosvendimmarrje, vetë Presidenti i Republikës mund të pezullohet nga i pari prokuror që gdhihet me këtë ide në kokë”, deklaroi Rama.

Sipas tij, Gjykata Kushtetuese, nuk e gjeti forcën për të mos lejuar rimarrjen peng të qeverisë shqiptare.

“U mbyt në lugën e ujit të turbullt të atyre që Servantes në librin e tij të famshëm Don Kishoti i Mançës, i quan arsyet e mosarsyes”, tha ai referuar gjykatës.

Pas rreth 2 muajve e gjysmë ‘zvarritje’, Gjykata Kushtetuese u shpreh më 6 shkurt, për kërkesën e paraqitur nga qeveria lidhur me vendimin e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), e cila në muajin nëntor 2025 vendosi pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut, në cilësinë e zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Duke qenë se gjyqtarët votuan 4 pro dhe 4 kundër, duke mos arritur kuorumin e nevojshëm, u rrëzua padia e qeverisë. Kështu, është rikthyer në fuqi masa e pezullimit nga detyra për Belinda Ballukun, e cila ishte hequr më 12 dhjetor 2025, po me verdikt të kësaj gjykate…(Lexo më shumë)


Mbetjet e “Kurum”

“Kushdo që ka vënë buzën në gaz dhe ka nxjerrë gjuhën pas vendimit të Kushtetueses dhe fërkon duart me kuturisjen e modës së re të arresteve pa gjyq të cilat arritën një kulm të ri këtë javë, me 30 e kusur fletë arresti të prera nga një prokuror në Durrës, i cili në fakt nuk paraburgosi vetëm veten për një çështje që nuk përmbush asnjë kusht, zero, hiç, nga ato që Këshilli i Europës dhe drejtësia demokratike, i përcakton si kushte të domosdoshme për arrestin, i futi në një thes, u them një gjë:

Kush beson se përpjekja e natyrshme për shtetin ligjor e të gjithëve bashkë, e jona, qeveri, parlament, drejtësi, arritjet dhe lajthitjet e drejtësisë së re do të prodhojnë ndonjëherë kosto për shumicën qeverisëse e cila do ta kthejë në punë, mullirin e prishur të opozitave, gabon ditë dhe natë! Sepse nuk kupton qartë atë që e kupton populli shqiptar, lufta për drejtësi e shtet ligjor, ka vetëm një garant, ende sot për sot, mua dhe këtë shumicë qeverisë”, përfundoi Rama, referuar edhe rastit me mbetjet e “Kurum”.

Gjykata e Durrësit ka lënë në burg 8 nga 20 të arrestuarit në lidhje me 2 800 ton mbetje të kthyera nga Tajlanda në tetor të vitit 2024, pasi kishin dalë nga vendi ynë në korrik të po atij viti...(Lexo më shumë)

Rikthimi i TikTok

Sa i takon rihapjes së platformës së TikTok, nënvizoi se “tanimë ka më shumë kontroll mbi aktivitetin dhe mbrojtje të fëmijëve apo përdoruesve më të rinj”.

“Këtë javë doli edhe vendimi për të hequr masën e bllokimit të TikTok, është vendim që e kisha paralajmëruar, dhe që për befasinë tonë TikTok ishte shumë i hapur, aktiv në një dialog me ne pasi bëmë bllokimin. Dhe nuk është TikTok-u që na ka çuar në gjyq, është, ç’të të them kush është…Dihet kush është! Me TikTok-un kemi vendosur jo vetëm një komunikim, por edhe një bazë të re dhe vendimi nuk është mbyllje sysh”, u shpreh kreu i qeverisë.

“Kjo ishte vija e dialogut, janë vendosur mekanizma të rinj sigurie, ka filtra të rinj mbi përmbajtjen, ka kontrolle efektive dhe mënyra raportimi e trajtimi të shkeljeve që nuk ishin më parë”, tha ai.