Këtë të hënë, 27 prill 2026, u bë i mundur për pak minuta aksesi i kamerave në sallën ku pritej të niste gjyqi në themel ndaj ish-presidentit Ilir Meta, ish-bashkëshortes së tij Monika Kryemadhi, si dhe tre të pandehurve të tjerë për të njëjtën dosje hetimore.

Megjithatë, kjo seancë në Gjykatën e Posaçme AntiKorrupsion (GJKKO) dështoi, duke u shtyrë për në datën 11 maj.

Siç raportoi gazetarja Bleona Metushi, gjykata u ka dhënë kohë avokatëve të nënës së Monika Kryemadhit që të marrin një prokurë të posaçme nga kjo e fundit për të vijuar me kërkesën e gjykimit të shkurtuar.

“U legjitimuan avokatët e të pandehurve të tjerë. Avokati i Metës bëri kërkesë që Meta të mos qëndrojë në kafazin e qelqtë, por të ulet krah tij në sallë të gjyqit”, tha gazetarja. Kërkesë kjo, që është rrëzuar nga treshja e gjyqtarëve me argumentin se qëndrimi i ish-Presidentit në kafaz të qelqtë i siguron të drejtën për të marrë pjesë në proces dhe për të komentuar.

Siç mund ta shihni në pamjet e mëposhtme, Meta i cili ka ndryshuar dukshëm fizikisht, foli për herë të parë që pas arrestimit të tij…

“Gënjeshtra, shpifje e kallëzues të rremë! Një proces i turpshëm!”, dëgjohej teksa thoshte ai nga brenda kafazit të qelqtë, veshur me kostum zyrtari.

Mësohet se gjatë hyrjes në sallë ai ka përshëndetur publikun, fillimisht me dy gishtat lart dhe më pas ka bërë shqiponjën me duar, duke thënë: Shqipëria, e shqiptarëve!

Kundërshti të forta ka pasur edhe nga avokati i tij, Kujtim Cakrani.

“Vetëm ISIS i poshtëronte kështu njerëzit. Është për turpin e të gjithëve, për turpin e drejtësisë së re ky lloj trajtimi. Unë e di që ju do ta rrëzoni, por dua ta argumentoni se si. Unë nuk bisedoj dot me presidentin për sa kohë ndahemi me xham. Ne nuk jemi të barabartë kështu. Siç e kam unë të bazuar kërkesën, e dua edhe vendimin tuaj të bazuar. Në salla si kjo janë gjykuar Nexhmije Hoxha dhe Ramiz Alia si kriminelë. Edhe prapë nuk kanë qenë kështu. Janë trajtuar me më shumë dinjitet”, ka thënë ai në sallë. Pretendime, që i përsëriti edhe jashtë ambienteve të SPAK.

Meta, i cili akuzohet për pastrim parash, korrupsion pasiv dhe fshehje pasurie, ka kërkuar që seancat gjyqësore të transmetohen drejtpërdrejt për publikun, me qëllim garantimin e transparencës së plotë.

Për këtë, ai i është drejtuar më herët gjykatës me një letër të posaçme, ku thekson se transparenca dhe llogaridhënia janë detyrim për çdo institucion dhe funksionar publik.

Raportohet se përfaqësues të Partisë së Lirisë ishin sot në Gjykatën e Posaçme për të ndjekur nga afër seancën.

E pranishme në sallë ishte edhe Kryemadhi, ku të paktën për aq sa u transmetua qëndroi në heshtje, duke bërë gjestin e dy gishtave lart, njëjtë si ish-bashkëshorti i saj. Me mbarimin e seancës, foli shkurtimisht për gazetarët.

“SMS-të telefonike janë një ngarkim emocional, për të krijuar një intimidim apo edhe një iluzion krejt tjetër të asaj që ndodh në dosje”, tha ajo.

Hetimi ju ndau, mos ndoshta gjykimi do t’ju bashkojë?

“Nuk flas më për emocionet, tani fillon beteja ligjore me drejtësinë dhe opinionin publik. Një sistem drejtësie me regji politike dhe që kërkon të bëjë statistika, që kërkon të mbajë në burg Ilir Metën dhe Erion Veliajn, duke thënë kemi numra dhe vazhdojmë të ecim përpara si në kohën e Partisë së Punës”, ishte përgjigja e Kryemadhit.

Kreu i Partisë së Lirisë u arrestua më 21 tetor 2024, teksa po hynte në Tiranë, në një operacion të forcave speciale. Asokohe, agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) rrethuan automjetin e tij te “Kthesa e Kamzës”, duke e tërhequr me forcë drejt automjetit të policisë. Meta bëri rezistencë gjatë ndalimit të tij, siç mund ta shihni në pamjet e momentit të bujshëm: