Fitorja e radhës së Partisë Socialiste, do të jetë për rritjen më të madhe të pensioneve dhe rrogave. Kështu premtoi kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili së bashku me kryetaren e Kuvendit, Elisa Spiropali, në cilësinë bashkëdrejtuesit politik të qarkut Tiranë, zhvilluan një takim me strukturat e Partisë Socialiste në Kamëz.

“Unë besoj fort te ambicia që shtroi kryeministri në Asamble dhe në Kongres, – por sidomos grupet e punës, që tashmë kanë filluar të gjitha analizat dhe propozimet konkrete, – që ky të jetë mandati i rritjes më të madhe ndonjëherë të pensioneve dhe rrogave. Këtë mandat, këtë fitore, ta përkthejmë të gjithën jo si fitore për inat të tjetrit, por si fitore për të rritur masivisht pensionet për gjyshërit dhe prindërit tanë. Ky është misioni! Rritja e rrogave dhe pensioneve është mënyra më e mirë se si përkthehet gjithë ky idealizëm, gjithë ky pasion, ky afrim me Evropën”.

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali theksoi se gjatë fushatës së ardhshme elektorale duhet të flasë puna e bërë nga socialistët në qeverisje.

“Ne do flasim për veten, puna jonë duhet të flasë për ne dhe unë mezi pres të punoj me secilin prej jush, në të gjitha qendrat e votimit, për t’i dhënë një fitore PS, Edi Ramës, në Bashkinë e Kamzës, në Bashkinë e Kavajës, në Bashkinë e Rrogozhinës, në Bashkinë e Vorës, patjetër në Bashkinë e Tiranës, ku Erioni dhe Ogerta po punojnë së bashku, dhe kudo tjetër në Shqipërinë tonë, e cila në 2030-ën, duhet të jetë anëtare e Bashkimit Europian dhe nuk mund të mbahet peng nga askush dhe për asnjë arsye”.

Drejtuesit politikë të Partisë Socialiste për Tiranën, do të vijojnë turin e tyre të takimeve në të gjithë qarkun, për t’u takuar me anëtarët socialistë të Kamzës, Vorës, Kavajës dhe Rrogozhinës, si parapërgatitje për zgjedhjet e 2025.

Tv Klan