“Nuk pendohem për PPP-të”

Edi Rama u rikthye në sallën e hartave për të dytën herë brenda kësaj jave, por kësaj here në një komunikim me gazetarët ku pyetjet nuk ishin për temën e përzgjedhur nga kryeministri. Vëmendjen më të madhe e mori dosja e “Sterilizimit” dhe përgjegjësia që ndjen vetë kryeministri për bashkëpuntorët e tij jo të paktë që kanë përfunduar në bankën e të akuzuarve.

Por edhe në këtë rast përsëriti se i del zot produktit të këtij prokurimi publik privat si ndër më të mirët e bërë nga kjo qeveri dhe distancohet nga çdo i korruptuar brenda qeverisë a forcës së tij.

“Sterilizimi, ndër punët më të bukura që ne kemi bërë. Nëse në procesin e asaj kontrate, individët kanë hyrë në gjynah, do paguajnë! Kur ne zgjedhim, ne nuk kalojmë njerëzit në sallën e torturave për të marrë vesh se çfarë mund të bëjnë ata në të ardhmen.”

Përseriti disa herë se ai nuk ndërhyn dhe nuk do të ndërhyjë në punën e SPAK-ut. Dhe se moralisht nuk ndjen përgjegjësi për abuzimet e bashkëpuntorëve të tij.

“S’është fare detyra ime kjo! Kjo është detyra e atyre që janë atje të ngarkuar me këtë detyrë dhe që përsëris unë i inkurajoj maksimalisht që t’i nxjerrin ujin e zi kujtdo qoftë në rast se ka ujë të zi, t’ja nxjerrin komplet!”

Të njëjtën përgjigje për të mos ndërhyre në punët e SPAK-ut jep dhe kur pyetet për kërcënimet që vijnë nga Athina për lirimin e Fredi Belerit.

“Asnjë lloj interference ngado që të vijë mbi sistemin e drejtësisë nuk do të gjejë, jo përkrahjen, por nuk do të gjejë as mirëkuptimin tonë.”

Përsëriti se nuk do të përdorë praktikën e reciprocitetit me homologun Mitsotaqis që nuk e ftoi në darkën e organizuar në Athinë, por ndalet të flasë dhe për qëndrimin që ka mbajtur opozita për rastin ‘Beleri’ ndryshe nga qëndrimi ndonëse i gabuar i qeverisë, opozitës dhe mediave në Greqi që eshtë i unifikuar.

“Në gabim, në gabim, por grekët janë të gjithë bashkë, opozitarë, gazetarë. Këtu është ndryshe. Këtu nuk lihet rast pa i nxirë faqen Shqipërisë vetëm në dëm të qeverisë.”

Përgënjeshtron si thashetheme vere lajmet për zgjedhje të parakohshme dhe lë të kuptohet se do të ketë ndryshime në qeveri të cilat priten të bëhen publike në mbledhjen e afërt të Asamblesë Kombëtare Socialiste.

“Do të duhet të prisni dhe pak ditë.”

Per sistemin Tims shpjegoi se problematika është zgjidhur.

“E gjitha një histori e nxjerrë dhe e manipuluar nga njerëz që kanë humbur praktikisht pushtetin mbi ato të dhëna në Policinë e Shtetit.”

Përsëriti se puna në Kadastër pavarësisht problematikave po vijon normalisht ndërsa shpjegon se fondi prej 113 milion eurosh që është akorduar për mbetjet në bashkitë e Fierit dhe Elbasanit është për të financuar vijimin e punës së impianteve, siç do të financohet puna për impiantin e Tiranës tanimë që ka kaluar në administrim shtetëror.

“Impiantet ndërtohen me para dhe funksionojnë me para.”

Rama mori kohë për të folur edhe për sezonin e suksesshëm turistik dhe faktin që sipas tij shifrat e turistëve për frymë në raport me popullsinë janë shumë afër Greqisë, një shtet me turizëm të konsoliduar prej vitesh.

Tv Klan