Kandidatët e Listës Studentore në Serbi, lëvizja që arriti një fitore të bujshme në zgjedhjet e muajit të kaluar kundër partisë së presidentit Aleksandar Vuçiç, kanë nisur zyrtarisht rrugën drejt formimit të qeverisë së re.

Të martën, 140 deputetët e zgjedhur, mes të cilëve akademikë, juristë, shkencëtarë dhe artistë, do të bëjnë betimin gjatë seancës së parë të Parlamentit të ri, duke i dhënë fund 14 viteve të pushtetit të Vuçiçit dhe Partisë Progresiste Serbe (SNS). Ndërkohë, qeveria në detyrë, e drejtuar nga kryeministri në largim Gjuro Macut, do të vijojë punën deri në miratimin e kabinetit të ri.

Pavarësisht fitores, emrat e ministrave dhe kandidati që do të drejtojë qeverinë e ardhshme mbeten ende të panjohur. Përfaqësuesit e Listës Studentore pohojnë se procesi i përzgjedhjes së kabinetit po zhvillohet në bashkëpunim të ngushtë me lëvizjen studentore, e cila ka qenë në qendër të ndryshimeve politike në vend.

Sarah El Sarag, juriste për të drejtat e njeriut dhe deputete e zgjedhur, tha se kandidatët po përgatiten intensivisht për detyrat e reja, megjithëse shumica e tyre nuk kanë pasur më parë përvojë në politikë. Ajo bëri të ditur se po zhvillojnë takime dhe simulime parlamentare pothuajse çdo ditë, për t’u përgatitur për sfidat që i presin në Kuvend.

Ndërkohë, ish-presidenti Aleksandar Vuçiç nuk duket i gatshëm ta pranojë lehtë rolin e opozitarit. Pas humbjes në zgjedhje, ai ka akuzuar Listën Studentore se po vendos një regjim të “terrorit të hapur”, duke pretenduar se prokurorët dhe policia po përdoren për arrestime të paligjshme të personave të lidhur me partinë e tij.

Në ditët e fundit, autoritetet kanë ndërmarrë disa operacione dhe arrestime ndaj personave të lidhur me SNS-në, mes tyre pronarë kompanish të fuqishme, zyrtarë të lartë të policisë dhe individë të dyshuar për manipulim të votave dhe dhunë gjatë zgjedhjeve. Ndër rastet më të fundit është hetimi ndaj pronarëve të një kompanie ndërtimi për një projekt në vendndodhjen e ish-hotelit të famshëm “Jugosllavia” në Beograd.

Pas dy vitesh protestash që kulmuan me humbjen e SNS-së në zgjedhje, Vuçiç ka paralajmëruar organizimin e protestave të mëdha kundër pushtetit të ri. Sipas Raša Nedeljkov, drejtor i programit në organizatën CRTA, e cila monitoron zgjedhjet dhe demokracinë në Serbi, tensionet mund të shfaqen që në seancën e parë të Parlamentit.

Ai paralajmëroi për përpjekje për bllokim të punimeve, sabotim dhe skena kaotike, duke mos përjashtuar as pengesat fizike brenda sallës së Kuvendit. Deputetët e rinj kanë një afat prej 90 ditësh nga seanca konstituive për të miratuar qeverinë, por pritet të përpiqen të zgjedhin kryeministrin dhe kabinetin e ri shumë më herët, në një kohë kur Serbia po përballet me një fazë të re dhe të tensionuar politike.

/tvklan.al