Forcat ukrainase kanë nisur një kundërsulm ndaj trupave ruse pranë qytetit të Lymanit, në lindje të Ukrainës. Lajmi u bë i ditur nga komandanti i një prej njësive ukrainase.

Ndërkohë, sulmet ruse gjatë 24 orëve të fundit kanë shkaktuar të paktën pesë viktima dhe më shumë se një duzinë të plagosur në zona të ndryshme të Ukrainës. Në Kiev, kryebashkiaku Vitali Klitschko tha se të paktën 12 persona u plagosën nga sulmet e së martës. Një prej tyre, i cili ishte në gjendje kritike, ndërroi jetë më vonë në spital.

Policia e Kievit njoftoi se nga sulmet u dëmtuan magazina, një qendër biznesi dhe një restorant fast-food. Mediat ukrainase raportuan se restoranti ishte një pikë e McDonald’s. Në qytetin jugor të Khersonit, një grua 74-vjeçare u vra nga një sulm me dron rus. Dy burra, 38 dhe 60 vjeç, u plagosën gjithashtu në një sulm me dron në rajonin e Khersonit.

Në rajonin e Zaporizhzhias, një burrë u vra dhe një grua u plagos në një sulm që, sipas autoriteteve, dyshohet se kishte në shënjestër rrjetin elektrik. Dy persona të tjerë u vranë dhe një u plagos në sulmet ndaj Slovianskut, në rajonin e Donetskut. Ushtria ukrainase tha se Rusia lëshoi gjatë natës rreth 200 dronë në drejtim të Ukrainës, ndërsa 187 prej tyre, sipas Kievit, u interceptuan.

Në të njëjtën kohë, ushtria ukrainase raportoi sulme ndaj një rafinerie nafte në qytetin rus të Syzranit dhe ndaj një objekti në Taganrog, i cili raportohet se merret me prodhimin e mjeteve ajrore pa pilot dhe pjesëve për to. Sipas Shtabit të Përgjithshëm ukrainas, në rafinerinë e Syzranit u godit njësia kryesore e përpunimit të naftës bruto, si dhe zona e rezervuarëve të naftës.

Kundërsulmi pranë Lymanit vjen në një moment kur forcat ruse po përpiqen prej muajsh të rrethojnë qytetin. Komandanti i Korpusit të 3-të të Ushtrisë së Ukrainës, Andrii Biletskyi, tha se njësia e tij ka nisur një operacion sulmues dhe se forcat ukrainase kanë rimarrë kontrollin e një zone prej rreth 75 kilometrash katrorë.

Lymani është një pikë e rëndësishme strategjike në rajonin e Donetskut. Qyteti nuk është pushtuar nga Rusia që prej fillimit të pushtimit në shkallë të gjerë të Ukrainës në shkurt 2022. Sipas analistëve ushtarakë, kontrolli i Lymanit mund t’i krijojë Rusisë mundësi për të avancuar drejt Kramatorskut dhe Slovianskut.

/tvklan.al