23 Nëntor 2026 – Ministria e Mbrojtjes ka reaguar lidhur me pretendimet për përfshirjen e Shqipërisë në sulmin me dronë ndaj një korveteje ushtarake ruse në portin e Bengazit, në Libi.
Përmes një deklarate zyrtare, Ministria i ka hedhur poshtë këto pretendime, duke theksuar se Forcat e Armatosura shqiptare nuk kanë zhvilluar asnjë operacion ushtarak, nuk kanë marrë pjesë dhe nuk kanë ofruar mbështetje për sulmin.
Sipas autoriteteve, pretendimet se dronët janë nisur nga territori shqiptar nuk mbështeten në prova të verifikueshme dhe përbëjnë një informacion çorientues.
“Për informacion, lidhur me pretendimet mbi përfshirjen e Shqipërisë në një sulm me dronë detarë ndaj një luftanijeje ruse pranë brigjeve të Libisë:
Platforma Clash Report, e ndjekur nga Visioner, ka përhapur pretendimin se dronët e përdorur për goditjen e anijes ruse janë nisur nga territori shqiptar, duke përshkuar mbi 800 kilometra në Detin Mesdhe.
Ky pretendim nuk shoqërohet me asnjë provë të verifikueshme për vendnisjen e dronëve apo identitetin e operatorëve. Paraqitja e një informacioni të tillë si fakt, pa prova dhe pa verifikim të pavarur, krijon një narrativë dezinformuese që e lidh Shqipërinë me një operacion ushtarak kundër Rusisë.
Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme e ka përgënjeshtruar zyrtarisht pretendimin.
Ministria e Mbrojtjes konfirmon se Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë nuk kanë kryer, nuk kanë marrë pjesë dhe nuk kanë ofruar asnjë mbështetje për një operacion të tillë.
Duhet bërë dallimi mes raportimeve për sulmin ndaj anijes ruse dhe pretendimit se ai është organizuar apo realizuar nga territori shqiptar. Ekzistenca e një sulmi nuk provon origjinën e mjeteve të përdorura dhe aq më pak përfshirjen e Shqipërisë.
Ministria e Mbrojtjes mbështet qëndrimin zyrtar të MEPJ-së dhe e konsideron lidhjen e pabazuar të Shqipërisë me këtë operacion një informacion çorientues, që nuk duhet të riprodhohet si fakt i konfirmuar.
Përgjegjësia në raportimin e çështjeve të sigurisë kërkon dallimin e qartë mes fakteve të verifikuara dhe pretendimeve të pambështetura në prova”, reagon Mbrojtja.
Ngjarja në fjalë ka ndodhur në më pak se 750 kilometra larg kuftirit jugor të Italisë. Sulmi ka nisur që prej mbrëmjes së të shtunës deri në mëngjesin e të dielës. Korveta ruse ka përfunduar në fundit të detit ndërsa një tjetër anije ka rënë pre e sulmeve gjithashtu.
Sulmi në Bengazi konsiderohet një zhvillim i rëndësishëm, pasi lufta mes Rusisë dhe Ukrainës po shtrihet gjithnjë e më shumë përtej Detit të Zi, në Mesdhe, duke iu afruar edhe më tepër territorit europian. Sipas raportimeve, sulmi ndodhi në një moment kur Rusia po përgatitej të dërgonte një sasi të konsiderueshme armatimesh drejt Libisë.
/tvklan.al












Botërori 2026 
