Kategoria Superiore do të luajë këtë fundjavë ndeshjet e vlefshme për raundin e gjashtë. Sipari ngrihet këtë të shtunë me dy sfidat Elbasani-Vora dhe Teuta-Skënderbeu.

Elbasani do të kërkojë fitoren e dytë në këtë sezon pas një nisjeje larg pritshmërive krahasuar me vitin e kaluar ku në 5 ndeshje numëron vetëm 6 pikë.

Vëmendja është edhe tek Teuta e Edlir Tetovës që ka qenë surpriza e këtij edicioni duke kryesuar kampionatin me 13 pikë. Durrsakët duan të vazhdojnë momentin pozitiv përballë korçarëve që ende nuk kanë shijuar fitoren e parë.

E diela rezervon 3 përballje interesante, duke nisur me Laçi-Egnatia për të kulmuar me derbin e kryeqytetit mes Partizanit dhe Tiranës në orën 18:30.

Dy skuadrat e kryeqytetit nuk e kanë nisur aspak mirë sezonin dhe duan ta shfrytëzojnë këtë ndeshje për të lënë pas krahëve krizën.

Ndeshje interesante është edhe ajo mes Vllaznisë që renditet në vendin e fundit dhe Dinamos që vjen nga 4 fitore radhazi.

/tvklan.al