Londra është një ndër qytetet më të bukura në Mbretërinë e Bashkuar.
Një vend i veçantë dhe që ofron shumë për turistët. Lehtësisht ata e identifikojnë destinacionin e tyre të preferuar, më të famshmin e këtij qyteti.
“London Eye” apo “Syri i Londrës” është pika më e rëndësishme e referimit të qytetit, nga ku ofrohej një pamje spektakolare prej 135 metrash lartësi.
E diela do të shënojë 25 vjet që kur Syri i Londrës u hap për herë të parë për publikun. Që atëherë, atraksioni ka mirëpritur më shumë se 85 milionë vizitorë, është paraqitur në qindra filma dhe shfaqje televizive dhe ka qenë dëshmitar i rreth 8000 propozimeve për martesë.
Një nga arkitektet e këtij projekti, Julia Barfield shpjegon për agjencinë e lajmeve Reuters se si atraksioni i famshëm është bërë kaq i dashur.
“Është një projekt I mrekullueshëm, është një testament, jo vetëm për mua, por sigurisht për partnerin tim David Marks, i cili fatkeqësisht nuk është më me ne, por ja vlen të theksojmë se duhet të kenë qenë rreth 1,000 njerëz që kanë ndihmuar për realizimin”, tha Barfield.
Barfield dhe Marks projektuan “Syrin e Londrës” në kuzhinën e tyre në zonën e Stockwell të Londrës në vitin 1993.
Ata paraqitën idenë në “The Millennial Competition”, organizuar nga Fondacioni i Arkitekturës me gazetën Sunday Times dhe megjithëse nuk dolën fitues, ata dëshironin që me çdo kusht ta realizonin projektin.
“Unë mendoj se fakti që u ëndërrua nga dy arkitektë të rinj në kuzhinën e tyre në Stockwell është ndoshta ajo që, jo shumë njerëz e dinë. Ne nuk fituam konkursin, por më pas shkuam dhe gjetëm vetë paratë dhe realizuam projektin”, tha Barfield.
Po të mos ishte këmbëngulja e dy arkitektëve të guximshëm londinezë dhe vizioni i tyre i palëkundur, horizonti i Londrës – dhe festimet e fishekzjarreve të Vitit të Ri të kryeqytetit do të ishin ndryshe sot.
Julia Barfield dhe bashkëshorti i saj i ndjerë, David Marks, shpërfillën faktin se nuk dolën fitues të një konkursi për të projektuar një strukturë që shënonte mijëvjeçarin e ri dhe vazhduan me planet e tyre.
Falë mbështetjes së shtypit dhe publikut, Rrota e Mijëvjeçarit u ndërtua dhe dëshira e tyre u realizua.
“Ishte një lloj simboli i kohës, një rreth nuk ka fillim nuk ka fund, është simbol i kalimit të kohës por edhe i cikleve të jetës. Ne e filluam projektin në 1993, nuk kishte askund ku mund të shihje Londrën nga një lartësi, mund të ngjiteshe, mendoj, 365 shkallë deri në majën e St Paul’s, por ky ishte me të vërtetë i vetmi vend, dhe ideja ishte më tepër për të nderuar Londrën”, tha Barfield.
“Syri i Londrës”, fillimisht ishte menduar të qëndronte për rreth pesë vjet. Sidoqoftë, në korrik 2002 iu dha një licencë e përhershme dhe në 2024 u konfirmua si një vend i përhershëm në Bregun Jugor përgjatë lumit Thames.
Në një ditë të pastër, turistët që bëjnë xhiro mund të dallojnë kështjellën Windsor, shtëpinë 900 vjeçare të familjes mbretërore 40 kilometra larg, ndërsa për britanikët është bërë sinonim i fishekzjarreve të qytetit në natën e Vitit të Ri.
“Që nga viti 2000 ka pasur mbi 85 milionë njerëz që e kanë parë Syrin e Londrës. Madje ka patur ditë të ngarkuara gjatë verës ku kemi parë 18,000 njerëz në ditë, që është një numër i pabesueshëm vizitorësh”, tha Kahera McDonald – menaxhere e Syrit të Londrës.
Rreth 3.5 milionë njerëz paguajnë nga 29 Paund për biletë për t’u ngjitur në “Syrin e Londrës” çdo vit.
“Me të gjitha ngjarjet që kanë ndodhur brenda këtij atraksioni, mbi 8,000 propozime për të cilat ne dimë, ka pasur aq shumë të tjera që ndodhin saqë nuk ka aq sa duhet staf”, tha McDonald.
Plani i arkitektëve ishte që atraksioni të rigjallëronte një pjesë të South Bank të Londrës dhe 1% e të ardhurave vjetore të atraksionit paguhet për të ndihmuar në mirëmbajtjen e zonës publike përreth. Që kur filloi të funksionojë, horizonti i qytetit është transformuar nga rrokaqiejt e shumtë që mund të shihen prej aty.
Klan News