Fizarmonika dhe tingujt e orkestrës u bashkuan në një mbrëmje muzikore që solli në Lezhë vepra të njohura të muzikës klasike dhe krijimtari të re.

Në skenën e Pallatit të Kulturës, instrumentisti 17-vjeçar Nikolas Gjoni prezantoi një program ku, krahas kompozitorëve të mëdhenj, publiku pati mundësi të dëgjojë për herë të parë edhe disa prej krijimeve të tij artistike.

Nxënës në Liceun Artistik të Tiranës, Nikolas Gjoni po e zhvillon pasionin për muzikën jo vetëm përmes interpretimit me fizarmonikën e tij, por edhe përmes kompozimit. Për të, kjo mbrëmje kishte një emocion të veçantë, pasi në skenën e qytetit të tij solli edhe pjesë të krijimtarisë personale, të pritura me duartrokitje nga publiku.

Koncerte të tilla janë kthyer në një traditë për Lezhën dhe janë një mundësi për të promovuar të rinjtë që po i afrohen muzikës klasike. Kompozitori Zef Çoba dhe dirigjenti Harlen Nikolli vlerësuan punën e Nikolasit, veçanërisht kompozimet e tij, të cilat u prezantuan në këtë recital.

Në moshën 17-vjeçare, Nikolas Gjoni ka ende shumë për të zbuluar dhe për të sjellë në muzikë. Kjo mbrëmje në Lezhë tregoi se, krahas talentit për interpretim, ai ka nisur të ndërtojë edhe zërin e tij si krijues.

Klan News

/tvklan.al