Dhjetëra palestinezë të zhvendosur u detyruan të largohen nga tendat e tyre në Gazën qendrore, pasi Izraeli nisi një ndërhyrje tokësore.

Përparimi tokësor i tankeve izraelite ndodhi pasi Bordi i Paqes, organi mbikëqyrës i armëpushimit i udhëhequr nga SHBA-të, deklaroi se Izraeli dhe Hamasi nuk i kanë përmbushur zotimet e tyre për t’i dhënë fund armiqësive.

Sipas banorëve, kjo ishte ndërhyrja e parë me tanke e Izraelit që kaloi “Vijën e Verdhë”, që nga arritja e armëpushimit në tetor të vitit të kaluar.

“Vija e verdhë” është kufiri që ndan zonat nën kontrollin e Izraelit nga ato nën kontrollin e Hamasit.

Ushtria izraelite njoftoi se trupat dhe personeli i shërbimeve të inteligjencës kishin nisur “një aktivitet operacional” me synimin për të asgjësuar atë që e përshkroi si një tunel në perëndim të “Vijës së Verdhë”, i cili përbënte kërcënim për trupat e tij.

Hamasi deklaroi se ndërhyrja e ushtrisë izraelite dhe zhvendosja e detyruar e palestinezëve përbëjnë shkelje të armëpushimit dhe një përshkallëzim të rrezikshëm.

Nga frika e një sulmi të ri ushtarak, dhjetëra palestinezë shumica e të cilëve janë zhvendosur disa herë që nga fillimi i luftës në vitin 2023 u larguan nga zona.

Klan News

/tvklan.al