Të premten më 28 Qershor është paralajmëruar një tjetër protestë para Bashkisë së Tiranës. Për këtë arsye policia ka marrë masat e saj.

“Policia e Shtetit bën me dije se, ka marrë masa organizative dhe operacionale për garantimin e rendit publik dhe sigurisë gjatë zhvillimit të një tubimi të kërkuar nga “Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit”, ditën e nesërme, më datë 28 qershor 2024, ora 10:00, pranë Bashkisë së Tiranës. Në zbatim të planit të masave, Policia e Shtetit njofton se, nesër, prej orës 09:30 e në vijim, do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit të mjeteve, në bulevardin kryesor pranë Bashkisë së Tiranës. Për këtë arsye sugjerojmë që të përdoren rrugë alternative, deri në përfundim të tubimit, si Unaza e Mesme dhe Unaza e Madhe”, njoftoi policia.

Kujtojmë se gjatë tubimeve të mëparshme janë djegur goma dhe është hedhur molotov e sende të tjera në drejtim të godinës së bashkisë së Tiranës. Në këtë mënyrë është rrezikuar jeta dhe shëndeti i policëve dhe vetë tubuesve.

“Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë respekton plotësisht të drejtën e qytetarëve për të organizuar dhe marrë pjesë në tubime paqësore. Policia u përsërit thirrjen organizatorëve, drejtuesve dhe pjesëmarrësve në tubime për të respektuar ligjin dhe për t’u distancuar nga çdo akt dhune”, thotë policia./tvklan.al