Çekia dhe Sllovakia kundër Gjermanisë që e mbështeti Bullgarinë

Lajme të befasishme vijnë lidhur me negociatat dhe procesin e zgjerimit evropian. Tashmë është Republika Çeke dhe Sllovakia që kanë bllokuar presidencën gjermane në ditët e fundit të saj duke deklaruar se pretendimet bullgare përmbajnë elemente të falsifikimit të historisë. Ndaj janë çekët dhe sllovakët që kanë vënë veton dhe zgjerimi i BE-së ka mbetur në vend.

Teksti gjerman me pëlqimin bullgar që lejonte Tiranën dhe Shkupin të avanconin me kornizën e negociatave sipas çekëve e sllovakëve përmbante element të falsifikimit të historisë që ishin jashtëzakonisht të dëmshëm për procesin e zgjerimit dhe potencialisht mund të sillnin komplikime të mëtejshme.

Ministrat e Jashtëm të Pragës e Bratislavës theksojnë se Bashkimi Evropian nuk duhet të jetë gjykatësi i historisë së përbashkët, se si ne identifikojmë veten ose gjuhën që përdorim.

Këto çështje sipas tyre u përkasin palëve të interesuara. Konkluzionet e Këshillit mbi zgjerimin, stabilizimin dhe procesin e asociimit duhet të përcjellin një mesazh uniteti të BE-së mbi politikën e zgjerimit nga njëra anë dhe progresin dhe mangësitë e vendeve kandidate dhe kandidate potenciale nga ana tjetër.

Për më tepër jemi thellësisht të zhgënjyer që kornizat negociuese si për Maqedoninë e Veriut ashtu edhe për Shqipërinë nuk janë aprovuar, deklaruan Ministrat e Punëve të Jashtme të Republikës Çeke dhe Republikës Sllovake.

Klan Plus