Raportim Live

Trump zbut tonet ndaj Iranit: Pezullimi 20-vjeçar i programit bërthamor do të ishte i mjaftueshëm

Presidenti amerikan Donald Trump ka sinjalizuar një ndryshim të rëndësishëm në qëndrimin e tij ndaj programit bërthamor iranian, duke deklaruar se SHBA do të pranonte një pezullim 20-vjeçar të aktivitetit bërthamor të Teheranit, në vend të kërkesës së mëparshme për ndalimin e përhershëm të tij.

Deklarata u bë gjatë kthimit të Trump nga Pekini, pas takimit me presidentin kinez Xi Jinping. Duke folur me gazetarët në avionin presidencial Air Force One, Trump tha se “20 vite janë të mjaftueshme”, por theksoi se garancitë nga Irani duhet të jenë “reale”.

“Ne nuk mund të lejojmë që Irani të ketë armë bërthamore”, deklaroi presidenti amerikan, duke shtuar se Teherani duhet gjithashtu të rihapë Ngushticën e Hormuzit, e cila vazhdon të mbetet e bllokuar mes tensioneve të fundit në rajon… Lexo më shumë

Shtatë të vrarë në Gaza, Izraeli thotë se kishte në shënjestër një lider të Hamasit

Mjekët në Gaza thonë se Izraeli ka vrarë të paktën shtatë palestinezë, përfshirë një fëmijë, gjatë sulmeve ajrore të së premtes. Në këto sulme Izraeli tha se kishin në shënjestër kreun e krahut të armatosur të Hamasit.

Hamasi nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment lidhur me fatin e Izz al-Din al-Haddad, i cili u bë shef ushtarak i grupit militant në Rripin e Gazës pas vrasjes nga Izraeli të komandantit Mohammad Sinwar në maj 2025.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha në një deklaratë të përbashkët me ministrin e Mbrojtjes se Haddad ishte një nga organizatorët e sulmeve të 7 tetorit 2023, që çuan në ofensivën dyvjeçare të Izraelit ndaj territorit palestinez.

Ai është zyrtari më i lartë i Hamasit që Izraeli ka vënë në shënjestër me një sulm që nga marrëveshja e mbështetur nga SHBA në tetor, e cila synonte ndalimin e luftimeve në Gaza. Sulmi ndodh ndërsa Izraeli dhe Hamasi mbeten të bllokuar në bisedimet për avancimin e planit të pasluftës për Gazën, të propozuar nga presidenti amerikan Donald Trump.

Mjekët në Gaza thanë se të paktën shtatë persona, përfshirë tre gra dhe një fëmijë, u vranë dhe të paktën 50 të tjerë u plagosën nga sulmet ajrore që goditën një apartament dhe një automjet. Nuk ishte menjëherë e qartë nëse Haddad ishte mes të vrarëve… Lexo më shumë

download app

Zgjatet me 45 ditë armëpushimi Izrael-Liban

Armëpushimi mes Izraelit dhe Libanit është zgjatur me 45 ditë, njoftoi Departamenti Amerikan i Shtetit.

Vendimi u arrit pas dy ditësh bisedimesh të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Negociatat politike do të vazhdojnë më 2 dhe 3 qershor, ndërsa më 29 maj në Pentagon do të nisë një plan sigurie me delegacione ushtarake izraelite dhe libaneze. SHBA-të shpresojnë që bisedimet të çojnë drejt një paqeje të qëndrueshme dhe sigurie përgjatë kufirit mes dy vendeve.

Trump sërish deklarata të forta: E shkatërrojmë rrjetin elektrik në Iran për 2 ditë

Në një intervistë për Fox News, Donald Trump tha se SHBA nuk e ka nënvlerësuar Iranin dhe se i ka goditur “shumë fort”.

Ai deklaroi se, nëse do të ishte e nevojshme, Shtetet e Bashkuara mund të shkatërrojnë infrastrukturën elektrike iraniane në vetëm dy ditë. Trump përmendi edhe luftëra të ndryshme historike, duke theksuar se konfliktet mund të zgjasin për shumë vite.

Kina: Çështja e Hormuzit zgjidhet vetëm me dialog

Ministri i Jashtëm kinez Wang Yi deklaroi se Pekini beson se zgjidhja për tensionet në Ngushticën e Hormuzit qëndron në arritjen e një armëpushimi të përhershëm mes SHBA-ve dhe Iranit.

Sipas agjencisë kineze Xinhua, ai theksoi se presidenti Xi Jinping, në bisedimet me Donald Trump, ka nënvizuar se “forca nuk i zgjidh problemet”.

Kina përsërit mesazhin se dialogu është e vetmja rrugë e drejtë për të shmangur përshkallëzimin e situatës. Pekini bën thirrje për ulje tensionesh dhe zgjidhje diplomatike.

Araghchi: Nuk kemi pse të dorëzojmë uraniumin e pasuruar

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, deklaroi se negociatat me Shtetet e Bashkuara për uraniumin e pasuruar mbeten të vështira dhe pa marrëveshje.

Gjatë një konference në Neë Delhi, ai tha se të dyja palët kanë vendosur ta shtyjnë këtë temë për fazat e ardhshme të bisedimeve.

Sipas tij, çështja e materialit të pasuruar iranian është shumë komplekse dhe aktualisht negociatat ndodhen në një lloj ngërçi. Deklarata u raportua nga agjencia ruse TASS.

Araghchi: Irani do të jetë gjithmonë mbrojtës i sigurisë në Hormuz

Ministri i Jashtëm iranian u shpreh se pati “angazhim të frytshëm” në bisedimet me homologun e tij indian, Subrahmanyam Jaishankar.

Në një postim në X, Araghchi tha se ai “sqaroi se Irani do ta kryejë gjithmonë detyrën e tij historike si mbrojtës i sigurisë” në Ngushticën e Hormuzit.

Ai shtoi se “të gjitha kombet miqësore” mund të “mbështeten në sigurinë e tregtisë”.

SHBA-të: 75 anije janë ridrejtuar deri më tani nën bllokadën e Iranit

Komanda Qendrore e SHBA-VE (CENTCOM) ka publikuar shifra të përditësuara mbi bllokadën e porteve iraniane.

Thuhet se 75 anije tregtare janë ridrejtuar, ndërsa katër janë “çaktivizuar për të siguruar pajtueshmërinë”.

Të burgosurit palestinezë po përballen me “periudhën më të përgjakshme dhe më të ashpër” në dekada

Izraeli ka arrestuar më shumë se 23 mijë palestinezë në Bregun Perëndimor të pushtuar që nga tetori i vitit 2023, sipas Shoqatës të së Burgosurve Palestinezë.

Ajo shtoi se kjo është “periudha më e përgjakshme dhe më e ashpër” për të burgosurit palestinezë që nga viti 1967. Mes të ndaluarve ka gra, fëmijë dhe persona të plagosur. Numri total nuk përfshin mijëra palestinezë nga Gaza që janë ndaluar dhe janë zhdukur që nga 7 tetori 2023.

“Ndalesa ka qenë dhe vazhdon të jetë një nga shtyllat kryesore të projektit kolonial izraelit. Ajo përdoret si një mjet sistematik për të synuar praninë palestineze dhe për të shkatërruar strukturën shoqërore dhe kombëtare”, thuhet në deklaratë.

Më shumë se 9 mijë e 400 palestinezë ndodhen në burgjet izraelite, të cilat janë shndërruar në “hapësira të organizuara për torturë, uri, poshtërim dhe mohimin sistematik të trajtimit mjekësor”.

Tetëdhjetë e nëntë palestinezë kanë vdekur në burg që nga fillimi i luftës gjenocidale të Izraelit në Gaza, disa prej tyre janë torturuar dhe kanë vuajtur nga mungesa e kujdesit mjekësor.

Hezbollahu pretendon sulme ndaj pajisjeve dhe trupave izraelite në jug të Libanit

Përmes një sërë deklaratash, Hezbollahu pohoi se ka goditur një tank izraelit pranë qytetit Bayada, si dhe ka shënjestruar tre buldozerë ushtarakë të Izraelit që po operonin në qytetin Khiam.

Grupi libanez pretendoi gjithashtu se ka kryer një sulm me raketa dhe artileri ndaj një grupi ushtarësh izraelitë të pozicionuar në qytetin Rashaf.