Tetori Rozë rikthen çdo vit vëmendjen te rëndësia e ndërgjegjësimit, kontrollit dhe diagnostikimit të hershëm të kancerit të gjirit.

Në Shqipëri, të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik tregojnë se sëmundja mbetet një ndër sfidat kryesore të shëndetit të grave, ndërsa rritja e kontrolleve dhe depistimit shihet si një hap i rëndësishëm për zbulimin në kohë.

Kanceri i gjirit është ndër llojet më të zakonshme të kancerit në botë. Sipas të dhënave të referuara nga ISHP, çdo vit regjistrohen globalisht mbi 2.3 milion raste të reja dhe rreth 666 mijë vdekje nga kjo sëmundje. Këto shifra e rendisin kancerin e gjirit në vendin e dytë për nga incidenca pas atë të mushkërive dhe të vendin e katërt për nga vdekshmëria

Në Shqipëri, kanceri i gjirit përbën rreth 11% të të gjitha rasteve të reja të kancerit çdo vit dhe është sëmundja me riskun individual më të lartë te gratë. Aktualisht, vlerësohet se në vend jetojnë rreth 5 mijë gra me kancer gjiri.

Vetëm gjatë vitit 2024, sipas ISHP-së, u diagnostikuan 805 raste të reja te gratë dhe 14 raste te burrat. Nga viti 2015 deri në vitin 2024, kanceri i gjirit në vend është rritur me 23%, me një rritje mesatare vjetore prej 2.1%.

Të dhënat tregojnë se rreziku për t’u diagnostikuar me kancer gjiri rritet ndjeshëm me moshën dhe arrin kulmin në grupmoshën 50-70 vjeç.

Rritja e përgjithshme e rasteve lidhet kryesisht me gratë mbi 50 vjeç, ku numri i rasteve është rritur mesatarisht me 3.6% çdo vit. Ndërkohë, tek gratë nën 50 vjeç është vërejtur një ulje mesatare prej 1.9% në vit.

Mosha mediane në momentin e diagnozës është rritur nga 55 vjeç në vitin 2015 në pothuajse 59 vjeç në vitin 2024. Po ashtu, përqindja e rasteve te gratë mbi 50 vjeç është rritur nga 68% në 78%.

Depistimi, një hap i rëndësishëm për diagnostikimin e hershëm

Një nga zhvillimet pozitive të viteve të fundit është rritja e numrit të mamografive të kryera në vend. Nga rreth 5 mijë mamografi në vitin 2014, numri ka kaluar në mbi 25 mijë në vit gjatë periudhës 2022-2024.

Megjithatë, mbulimi me depistim mamografie në popullatën target vlerësohet aktualisht në rreth 25%.

Mamografitë e lëvizshme luajnë gjithashtu një rol në identifikimin e rasteve të dyshuara. Sipas përllogaritjeve të ISHP-së, përmes tyre identifikohen çdo vit mbi 10 raste të dyshuara për kancer gjiri, ndërsa gra të tjera mbahen në ndjekje për të përjashtuar praninë e sëmundjes.

Në total, mamografitë depistuese të kryera çdo vit ndihmojnë në identifikimin e hershëm të të paktën 50 rasteve me kancer gjiri.

Përtej shifrave, mesazhi i Tetorit Rozë mbetet i thjeshtë: kujdesi për shëndetin dhe kontrollet në kohë janë një pjesë e rëndësishme e luftës kundër kancerit të gjirit.