Pas fitores 2–1 ndaj Republikës Çeke, Koreja e Jugut ka bërë një nisje të mirë në Botëror, duke marrë tre pikë të rëndësishme në ndeshjen e Grupit A të zhvilluar në Guadalajara.

Skuadra aziatike, pas një pjese të parë të vështirë dhe disavantazhit të përkohshëm, arriti të reagojë fuqishëm në pjesën e dytë dhe të përmbysë rezultatin.

Në përfundim të takimit, trajneri i Koresë së Jugut, Hong Myung-Bo, u shpreh i kënaqur jo vetëm me rezultatin, por edhe me reagimin e skuadrës së tij.

“Jam i lumtur për këtë fitore në një ndeshje kaq të vështirë të debutimit në Botëror. Por mbi të gjitha, fakti që lojtarët nuk u dorëzuan dhe luftuan deri në fund do të ketë një efekt shumë pozitiv për skuadrën. Ndeshja e radhës kundër Meksikës është shumë e rëndësishme dhe duhet të jemi të përqendruar maksimalisht”, tha trajneri i Koresë së Jugut, Hong Myung-Bo.

Nga ana tjetër, Republika Çeke u largua e zhgënjyer, pavarësisht një paraqitjeje që në disa momente e vuri në vështirësi kundërshtarin.

Trajneri Miroslav Koubek pranoi gabimet e ekipit, por theksoi edhe elementët pozitivë të lojës së tij.

“Bëmë disa gabime, por gjithashtu krijuam disa mundësi. Kundërshtari ishte shumë i shpejtë dhe na vuri në vështirësi. Ne luftuam deri në fund dhe e bëmë detyrën tonë. Tani duhet të shikojmë përpara. Duhet të jemi më kreativë dhe më ofensivë në 30 metrat e fundit. Ka ende hapësirë për përmirësim”, u shpreh trajneri i Republikës Çeke, Miroslav Koubek.

Pas kësaj ndeshjeje, në krye të Grupit A ndodhen Koreja e Jugut dhe Meksika, të dyja me tre pikë të grumbulluara në ndeshjet e para të këtij Botërori.

Republika Çeke do të luajë ndeshjen e radhës më 18 qershor kundër Afrikës së Jugut, ndërsa Koreja e Jugut do të përballet me Meksikën më 19 qershor në stadiumin e Zapopanit. Ndeshjet transmetohen falas dhe ekskluzivisht në televizionin Klan dhe Klan Plus.

/tvklan.al