Presidentët e Kinës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara kanë nënshkruar një deklaratë të përbashkët për paqen, pas takimit trepalësh në Shenzhen, ku u përcaktuan katër fusha kryesore bashkëpunimi: reformimi i Kombeve të Bashkuara, siguria energjetike, respektimi i sovranitetit të shteteve dhe ulja e rreziqeve bërthamore.

Dokumenti shpreh vullnetin e Pekinit, Moskës dhe Uashingtonit për të forcuar koordinimin për çështjet kryesore ndërkombëtare, por nuk përmban asnjë referencë të drejtpërdrejtë për luftën në Ukrainë, një nga temat më të rëndësishme që pritej të diskutohej në këtë takim. Edhe për konfliktin në Iran nuk u njoftua asnjë angazhim konkret.

Xi Jinping, Donald Trump dhe Vladimir Putin u takuan në vilën Kylin, në kuadër të samitit të APEC-ut. Takimi zgjati rreth një orë e gjysmë dhe shënoi herën e parë që liderët e tri fuqive më të mëdha bërthamore zhvilluan një takim zyrtar trepalësh. Në deklaratën e publikuar pas përfundimit të bisedimeve, tre presidentët riafirmuan angazhimin për ruajtjen e stabilitetit strategjik dhe sigurisë ndërkombëtare.

Për Xi Jinping, ky takim përforcon rolin e Kinës si një aktor qendror në diplomacinë globale, ndërsa për Putinin përbën një mundësi për të konsoliduar dialogun e drejtpërdrejtë me Uashingtonin. Nga ana tjetër, Trump mund ta paraqesë këtë format si një hap të rëndësishëm drejt bashkëpunimit mes tri fuqive, veçanërisht për çështjet e sigurisë bërthamore.

Një nga pikat kryesore të deklaratës lidhet me reformimin e Kombeve të Bashkuara. Si anëtarë të përhershëm të Këshillit të Sigurimit, Kina, Rusia dhe SHBA-të shprehën gatishmërinë për të mbështetur ndryshime që do ta bënin organizatën më efikase në përballimin e sfidave globale dhe në përmbushjen e misionit të saj për ruajtjen e paqes. Një tjetër fushë bashkëpunimi është energjia, ku tre vendet synojnë të rrisin prodhimin dhe furnizimin me produkte të naftës, duke theksuar rëndësinë e qëndrueshmërisë së tregjeve dhe furnizimeve ndërkombëtare.

Deklarata trajton gjithashtu respektimin e sovranitetit të shteteve dhe imunitetin e zyrtarëve publikë, duke kundërshtuar ‘abuzimin’ me juridiksionin nga Gjykata Penale Ndërkombëtare dhe institucione të ngjashme. Ky qëndrim ka rëndësi të veçantë për Moskën, pasi Vladimir Putin është subjekt i një urdhër-arresti të lëshuar nga Gjykata e Hagës.

Pika e fundit i kushtohet sigurisë bërthamore, ku tre liderët përsëritën se një luftë bërthamore nuk mund të fitohet dhe nuk duhet të zhvillohet kurrë, duke u angazhuar për dialog mbi uljen e rreziqeve dhe parandalimin e përhapjes së armëve atomike. Megjithatë, pavarësisht deklaratave për bashkëpunim dhe paqe, dokumenti përfundimtar nxjerr në pah dallimet e këtij afrimi diplomatik.

Mungesa e çdo referimi për luftën në Ukrainë tregon se takimi nuk prodhoi një qëndrim të përbashkët për konfliktin mes Moskës dhe Kievit, ndërsa asnjë zgjidhje nuk u prezantua për krizën në Iran. Një tjetër element domethënës është mungesa e Ukrainës dhe e qeverive europiane në tryezën e bisedimeve, ndonëse vendimet dhe qëndrimet e tri fuqive mund të kenë pasoja të drejtpërdrejta për sigurinë e tyre.

/tvklan.al