Trump, Putin dhe Xi Jinping publikojnë deklaratën e përbashkët për paqen
Presidenti amerikan Donald Trump, presidenti rus Vladimir Putin dhe lideri kinez Xi Jinping kanë zhvilluar takimin e tyre të parë trepalësh, në një takim që zgjati 90 minuta në qytetin Shenzhen të Kinës, në kuadër të samitit të APEC-ut.
Pas bisedimeve, tre liderët publikuan një deklaratë të përbashkët për paqen, ku theksuan se një luftë bërthamore nuk mund të fitohet dhe nuk duhet të zhvillohet kurrë. Ata u shprehën gjithashtu të gatshëm për të bashkëpunuar në uljen e numrit të armëve bërthamore dhe për të reformuar Organizatën e Kombeve të Bashkuara, me qëllim përballimin më të mirë të sfidave ndërkombëtare.
Në deklaratë u përmend edhe rritja e prodhimit dhe furnizimit me naftë, si dhe nevoja që Gjykata Penale Ndërkombëtare dhe institucionet e tjera të ngjashme të mos tejkalojnë kompetencat e tyre.
Përpara takimit trepalësh, Trump zhvilloi një takim të veçantë me Putinin, i pari që nga gushti i vitit 2025, ku e përshëndeti presidentin rus duke e quajtur “mikun” e tij. Ai zhvilloi gjithashtu një bisedë me Xi Jinping, marrëdhënien me të cilin e përshkroi si “shumë të veçantë”.
Gjatë deklaratave të tyre, liderët u ndalën te çështjet kryesore ndërkombëtare, veçanërisht te lufta në Ukrainë, siguria energjetike dhe rreziku i përhapjes së armëve bërthamore. (Lexo më shumë)
Putin ‘ndez gjakrat’ me Ukrainën: Nuk negociojmë më për armëpushim!

“Ukraina dhe Evropa nuk janë ende të gatshme të bëjnë kompromis për zgjidhjen e konfliktit.”
Kështu deklaroi presidenti rus, Vladimir Putin, në Shenzhen, pas takimit trepalësh me presidentin amerikan Donald Trump dhe atë kinez Xi Jinping.
Putin u shpreh se Moska është e gatshme të diskutojë me partnerët e saj për zgjidhjen e konfliktit, në kuadër të bisedimeve që po zhvillohen.
Ai theksoi gjithashtu se nuk ka asnjë dyshim që Trump është sinqerisht i angazhuar për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë dhe për të vendosur një bashkëpunim mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara. Megjithatë, në deklaratën e përbashkët përfundimtare të takimit nuk pati asnjë referencë për Ukrainën.
Sa i përket mundësisë së një armëpushimi, Putin bëri të ditur se kishte diskutuar me Këshillin e Sigurisë së Rusisë për një ndërprerje të mundshme të luftimeve në zona të caktuara. Por, sipas tij, pas sulmeve ndaj urës së Krimesë, nuk do të ketë negociata për armëpushim.
“Përgjigjja jonë do të jetë shumë e dhimbshme”, paralajmëroi presidenti rus.
Tre superfuqitë deklaratë për paqen, por heshtin për Ukrainën
Presidentët e Kinës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara kanë nënshkruar një deklaratë të përbashkët për paqen, pas takimit trepalësh në Shenzhen, ku u përcaktuan katër fusha kryesore bashkëpunimi: reformimi i Kombeve të Bashkuara, siguria energjetike, respektimi i sovranitetit të shteteve dhe ulja e rreziqeve bërthamore.
Dokumenti shpreh vullnetin e Pekinit, Moskës dhe Uashingtonit për të forcuar koordinimin për çështjet kryesore ndërkombëtare, por nuk përmban asnjë referencë të drejtpërdrejtë për luftën në Ukrainë, një nga temat më të rëndësishme që pritej të diskutohej në këtë takim. Edhe për konfliktin në Iran nuk u njoftua asnjë angazhim konkret. Lexo më shumë
Putin largohet nga vendi i samitit trepalësh, Xi Jinping e përcjell deri te makina

Presidenti rus Vladimir Putin është larguar nga vendi ku u zhvillua samiti trepalësh mes tij, presidentit amerikan Donald Trump dhe kreut të shtetit kinez, Xi Jinping, raportojnë mediat shtetërore ruse.
Pamjet e publikuara tregojnë Xi Jinpingun duke e shoqëruar Putinin deri te makina e tij në përfundim të takimit.
Sipas agjencisë ruse të lajmeve TASS, takimi mes tre liderëve zgjati rreth një orë e gjysmë. Në përfundim të tij, asnjëri prej tre presidentëve nuk bëri deklarata për mediat.
Pak më herët, ishte raportuar edhe largimi i eskortës së presidentit amerikan Donald Trump nga rezidenca Kylin Villa, në qytetin e Shenzhenit, ku u zhvillua takimi historik.
Takimi trepalësh u pasua nga publikimi i një deklarate të përbashkët, ku tre vendet theksuan angazhimin për stabilitetin strategjik, sigurinë ndërkombëtare dhe parandalimin e përhapjes së armëve bërthamore.
Samiti në Shenzhen, publikohet deklarata e përbashkët pas takimit trepalësh
Kina, Rusia dhe Shtetet e Bashkuara kanë publikuar një deklaratë të përbashkët pas takimit historik mes presidentëve Xi Jinping, Vladimir Putin dhe Donald Trump, ku përcaktohen disa prej çështjeve kryesore të diskutuara nga tre liderët.
Sipas deklaratës, tre presidentët kanë rikonfirmuar angazhimin për ruajtjen e stabilitetit strategjik dhe sigurisë ndërkombëtare.
Çështjet që u diskutuan:
Armët bërthamore – Në deklaratën e përbashkët, tre liderët riafirmuan se “një luftë bërthamore nuk mund të fitohet dhe nuk duhet të zhvillohet kurrë”, qëndrim i shprehur më herët edhe nga presidenti kinez Xi Jinping.
Sipas dokumentit, të tre vendet do të angazhohen në dialog për të reduktuar rreziqet bërthamore dhe për të parandaluar përhapjen e armëve bërthamore.
Nafta dhe siguria energjetike – Rusia, Kina dhe SHBA-të shprehin synimin për të rritur prodhimin dhe furnizimin me produkte të përpunuara të naftës, në interes të të gjitha shteteve. Gjithashtu, theksohet rëndësia e garantimit të furnizimeve të qëndrueshme me energji.
OKB-ja – Si anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, tre vendet kanë shprehur angazhimin për reformimin e OKB-së, në mënyrë që organizata të jetë më efektive përballë sfidave globale dhe të përmbushë misionin e saj themelor për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare.
Imuniteti i zyrtarëve shtetërorë – Tre liderët kanë nënvizuar rëndësinë e parimit të pëlqimit të shteteve dhe respektimit të imunitetit të zyrtarëve shtetërorë.
Ata kanë rënë dakord se Gjykata Penale Ndërkombëtare dhe institucione të tjera të ngjashme nuk duhet të abuzojnë me juridiksionin e tyre.
Pas përfundimit të Samitit, Donald Trump largohet nga Kina

Mediat ndërkombëtare kanë publikuar pamje nga momenti kur Presidentit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka hipur në aeroplanin Air Force One pas takimit trepalësh me Putinin dhe Xi Jinping.
TRUMP STRUGGLES TO GET UP THE STAIRS OF AIR FORCE ONE. HE HAD TO STOP TO GET HIS BALANCE AT 0:15. 😓😓😓 https://t.co/ae6TR9gII6
— Donk Media ♻️™ (@donkoclock) November 19, 2026
Kreu i Shtëpisë së Bardhë shikohet duke përshëndetur me duar nga shkallët e avionit, ndërsa pritet të rikthehet në SHBA, në orët në vazhdim.
Përfundon takimi historik në Shenzhen, zgjati rreth 90 minuta
Takimi midis Xi Jinping, Donald Trump dhe Vladimir Putin ka përfunduar, sipas transmetuesit shtetëror kinez CCTV dhe agjencisë ruse të lajmeve Tass.
Në raportin e saj, Tass shton se samiti midis tre udhëheqësve zgjati një orë e gjysmë.
Putin: Gjithçka shkoi më mirë nga sa prisnim

Vladimir Putin është larguar nga vendi ku u zhvillua samiti, ndërsa është përshëndetur me presidentin kinez Xi Jinping. Kreu i shtetit rus falënderoi homologun e tij kinez për organizimin e takimit, duke u shprehur se gjithçka shkoi më mirë nga sa kishin pritur.
“Faleminderit për organizimin. Nuk mendoj se dikush e kishte pritur që gjithçka të shkonte kaq mirë”, i tha Putin-Xi Jinpingut.
Ndërkohë, sipas mediave ruse, gazetarët po përgatiten për një konferencë për shtyp me presidentin Putin. Agjencitë shtetërore ruse të lajmeve raportojnë gjithashtu se një deklaratë e përbashkët e liderëve pritet të publikohet brenda një ore.
Xi Jinping në takimin me Trump dhe Putin: Armët bërthamore të ndalohen dhe të shkatërrohen plotësisht
Presidenti i Kinës, Xi Jinping, ka bërë thirrje për ndalimin e plotë dhe shkatërrimin e armëve bërthamore, gjatë takimit trepalësh me presidentin amerikan Donald Trump dhe atë rus Vladimir Putin.
Sipas agjencisë zyrtare kineze të lajmeve Xinhua, Xi i cilësoi armët bërthamore si një “Shpatë të Damokleut” që qëndron mbi njerëzimin, duke theksuar se ato duhet të ndalohen dhe të eliminohen plotësisht, me synimin për të krijuar një botë pa armë bërthamore.
“Një luftë bërthamore nuk mund të fitohet dhe nuk duhet të zhvillohet kurrë”, deklaroi Xi, duke shtuar se duhet të bëhen të gjitha përpjekjet për të parandaluar një konflikt të tillë.
Çështja e çarmatimit bërthamor ishte gjithashtu ndër temat që Donald Trump kishte paralajmëruar se do të diskutonte me homologët e tij kinez dhe rus.
Megjithatë, Pekini prej vitesh ka kundërshtuar përfshirjen në bisedime të drejtpërdrejta me Uashingtonin për programin e tij bërthamor, duke argumentuar se SHBA-të dhe Rusia duhet ta trajtojnë fillimisht këtë çështje mes tyre, për shkak të arsenaleve të tyre shumë më të mëdha bërthamore.
Thirrja e Xi Jinpingut vjen në kuadër të takimit historik trepalësh mes tri fuqive të mëdha, ku çështja e sigurisë globale dhe reduktimi i armëve bërthamore janë ndër temat kryesore të diskutimit.
FOTOGALERI| Momente kryesore të takimit trepalësh, Trump optimist: Po bëjmë vërtet histori

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, presidenti rus Vladimir Putin dhe ai kinez Xi Jinping kanë nisur tashmë diskutimet e tyre historike trepalëshe.








Më poshtë po ju sjellim një përmbledhje të asaj që kemi parë deri më tani, nga mbërritja e tre liderëve deri në nisjen e bisedimeve të tyre.
Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, u shpreh se takimi po “Po bëjmë vërtet histori. Ne të tre kemi shumë për të diskutuar”












Botërori 2026 