Detaje të tjera janë bërë publike nga biseda telefonike mes presidentëve Donald Trump dhe Volodymyr Zelensky. Kreu i shtetit të Ukrainës reagoi në rrjetet sociale duke e përshkruar telefonatën me Trump si “pozitive”, “të sinqertë” dhe “shumë përmbajtësore”.
Madje Zelensky shprehet se paqja mund të arrihet brenda këtij viti nën drejtimin e lidershipit amerikan.
“Ramë dakord që Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara duhet të vazhdojnë të punojnë së bashku për të arritur përfundimin e vërtetë të luftës dhe paqen e qëndrueshme. Ne besojmë se sëbashku me Amerikën, me presidentin Trump dhe nën udhëheqjen amerikane paqja e qëndrueshme mund të arrihet këtë vit”, tha Zelensky.
BBC raporton se Ukraina mbështet përfundimin e sulmeve ndaj infrastrukturës civile dhe energjisë. “Është një nga hapat e parë drejt përfundimit të plotë të luftës”, tha ai duke shprehur mbështetjen për këtë hap dhe konfirmoi se Ukraina “është gati që ta implementojë atë”.
Po ashtu, Trump i ka treguar detaje nga biseda me Putinin dje ku në fokus ishte sërish armëpushimi. Ndërsa Zelensky e ka përditësuar për situatën në betejën e luftës dhe pasojat nga sulmet ruse. Të dyja palët kanë rënë dakord që të qëndrojnë në kontakt në nivelet me të larta përmes ekipeve të tyre.
Shtëpia e Bardhë doli në një deklaratë po ashtu duke thënë se dy presidentët patën një bisedë fantastike. Sekretarja për Mediat, Karoline Leavitt tha se Zelensky ka falenderuar SHBA-në për mbështetjen, veçanërisht për raketat Javelin. Po ashtu në fokus të diskutimeve kanë qenë edhe luftimet në Kursk ku Zelensky ka kërkuar më shumë resurse për mbrojtjen ajrore.
Mes palëve pritet një takim teknik së shpejti për të shikuar një armëpushim më të gjerë në Detin e Zi. Mësohet se Trump i ka thënë Zelensky-t se pronësia amerikane e infrastrukturës së energjisë në Ukrainë mund të ndihmojë vendin.
Siç duket Zelensky dhe Trump kanë lënë pas takimin e tyre në Shtëpinë e Bardhë që përfundoi në mënyrën më të keqe të mundshme. Presidentit të Ukrainës iu desh të largohej pas përplasjes me Trump dhe zëvendësin e tij, JD Vance.
Ndërkohë sa i përket situatës në Ukrainë, Trump ka biseduar edhe me Vladimir Putin në telefon./tvklan.al