Raportim Live

Trump gati të mbyllë luftën me Iranin pa pakt bërthamor

ShBA-ja po kërkon mbylljen me çdo kusht të luftës me Iranin. Sipas gazetës “The Wall Street Journal”, Presidenti Donald Trump është i gatshëm t’i japë fund luftës me Iranin, edhe pa arritur një marrëveshje për programin bërthamor të Teheranit, nëse Irani do të rihapë plotësisht ngushticën e Hormuzit.

Sipas gazetës, Trump e ka diskutuar privatisht këtë mundësi me këshilltarët e tij të lartë, pas disa javësh përgatitjesh për të shpallur fitoren, në rast se Irani do të rikthejë lëvizjen e lirë të anijeve në këtë rrugë strategjike detare.

Por kjo mundësi u bë më e vështirë të shtunën, pasi Irani paraqiti një sërë kërkesash në këmbim të lejimit të qarkullimit të lirë në ngushticë… (Lexo më shumë)

Hamasi: Ne mbetemi të përkushtuar për të zbatuar planin e Trump për Gazën

Hamasi “riafirmon angazhimin e tij për të vepruar seriozisht dhe me përgjegjësi për të zbatuar” planin 15-pikësh për Rripin e Gazës të miratuar nga SHBA-të brenda të ashtuquajturit Bord i Paqes, tha një zyrtar i Hamasit për BBC-në, duke përsëritur gjithashtu thirrjen ndaj “ndërmjetësve” për të siguruar “që të gjitha palët t’i përmbahen asaj që është rënë dakord“.

download app

Presidenti iranian: Ishte e nevojshme të sulmoheshin vendet që strehonin bazat amerikane

Presidenti iranian Masoud Pezeshkian mbrojti sulmet e Teheranit kundër vendeve rajonale që strehojnë baza ushtarake amerikane, duke argumentuar se Irani kishte të drejtë të hakmerrej sepse sulmet në territorin iranian u nisën nga ato instalime. “Nuk mund të rrimë duarkryq dhe të shikojmë sulmet që nisen kundër nesh nga territori juaj pa thënë asgjë”, tha Pezeshkian. “Na u desh të përgjigjeshim që ata të mos e bënin përsëri.”

Araghchi: Me SHBA-të vetëm kontakte indirekt

Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi deklaroi se Irani aktualisht nuk po zhvillon negociata me Shtetet e Bashkuara, por po shkëmben mesazhe përmes ndërmjetësve.

Ai tha se disa vende po përpiqen të krijojnë kushtet për rifillimin e bisedimeve, por Teherani nuk do të rikthehet në negociata derisa SHBA-të të ndalin shkeljet e memorandumit të mirëkuptimit të qershorit.

Araghchi deklaroi gjithashtu se Irani nuk do ta harrojë dhe nuk do ta falë gjakun e iranianëve të vrarë gjatë konfliktit me SHBA-të dhe Izraelin. Ai theksoi se Teherani do të vazhdojë qëndrimin e tij të rezistencës, pavarësisht presioneve.

Netanyahu: Trump mik i madh, por siguria e Izraelit mbi të gjitha

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e cilësoi presidentin amerikan Donald Trump si një “mik të madh” të Izraelit.

Netanyahu tha se ka vlerësim të madh për Trumpin dhe për partneritetin historik mes Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara. Ai theksoi bashkëpunimin amerikano-izraelit për të penguar përpjekjet e Iranit për të siguruar armë bërthamore.

Megjithatë, kryeministri izraelit nënvizoi se Izraeli duhet të ruajë të drejtën për të marrë vendime të pavarura. Netanyahu tha se, pavarësisht presioneve nga aleatët, ai do të bëjë atë që e konsideron të nevojshme për të garantuar sigurinë e Izraelit.

Netanyahu kundërshton planin amerikan për Gazën: Kurrë s’do ketë shtet palestinez

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka kundërshtuar planin amerikan me 15 pika për Gazën, duke thënë se Izraeli nuk do të tërheqë ushtrinë nga Rripi, derisa Hamasi të çarmatoset plotësisht.

Ai deklaroi gjithashtu se gjatë mandatit të tij nuk do të ketë shtet palestinez, as në Gaza dhe as në Bregun Perëndimor.

Netanyahu theksoi se Irani nuk do të ketë armë bërthamore, me ose pa marrëveshje.

Houthit marrin përgjegjësinë për sulmin ndaj Aramco-s

Houthit kanë marrë përgjegjësinë për sulmin ndaj një impianti nafte të kompanisë saudite Aramco, ku mëngjesin e sotëm shpërtheu një zjarr.

Sipas televizionit Al Masirah, sulmi u krye me dronë.

Houthit e cilësuan sulmin si përgjigje ndaj sulmeve me dronë të Arabisë Saudite në provincat Saada dhe Hajjah të Jemenit.

Izraeli depërton ushtarakisht në Siri

Forcat izraelite kanë kryer një inkursion ushtarak të ri në provincën Quneitra, në jugperëndim të Sirisë, raportojnë mediat, duke cituar Syria TV.

Sipas raportimeve, dy tanke dhe tre automjete ushtarake kaluan kufirin në zonën e Samadaniyah gjatë orëve të para të ditës dhe patrulluan territorin.

Rreth një orë më vonë, forcat izraelite u tërhoqën drejt një baze ushtarake. Inkursione të ngjashme janë raportuar ditët e fundit pranë Ain Ziëan, Rafid dhe pellgut të Yarmukut.

Egjipti kundër zhvendosjes së palestinezëve nga Gaza

Ministri i Jashtëm egjiptian Badr Abdelatty deklaroi se zhvendosja e palestinezëve nga Gaza mbetet një “vijë e kuqe” për vendet arabe dhe myslimane.

Ai tha se Egjipti do të kundërshtojë me të gjitha forcat çdo përpjekje për dëbimin e banorëve të Gazës.

Sipas tij, krijimi i kushteve të papërballueshme për jetesë nuk mund të quhet “zhvendosje vullnetare”, por përbën detyrim dhe shkelje të së drejtës ndërkombëtare.

Tërhiqen SHBA-të? Izraeli: E sulmojmë Iranin dhe të vetëm

Izraeli po përgatitet për mundësinë e kryerjes së sulmeve të njëanshme ndaj Iranit, nëse SHBA-të tërhiqen nga një përshkallëzim i ri.

Sipas mediave izraelite, Tel Avivi po e mban të hapur opsionin për të goditur Teheranin pa përfshirjen e Uashingtonit.

Ndërkohë, sipas CNN, gjenerali Dan Caine ka paralajmëruar administratën Trump se operacionet e reja mund të jenë kundërproduktive. Ai ka vlerësuar se vetëm sulmet ajrore nuk do të mjaftonin për të arritur një fitore.