Presidenti amerikan Donald Trump ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv për mbrojtjen e monumenteve dhe statujave, të cilat gjatë javëve të fundit janë vandalizuar nga protestuesit. Sipas kreut të Shtëpisë së Bardhë, ky vendim erdhi për të luftuar dhunën e shkaktuar nga kriminelët pas vrasjes së afro-amerikanit George Floyd.

Që në fillim të kësaj jave, presidenti amerikan deklaroi se do të merrte masa teksa protestuesit rrëzuan një statujë të Andrew Jackson, ish-president, në një park afër Shtëpisë së Bardhë.

Në bazë të këtij urdhri të gjithë ata që shkatërrojnë do të ndiqen penalisht dhe do të bëjnë deri në 10 vite burg për dëmtim të qëllimshëm të pasurive federale.

Në mesin e statujave të dhunuara është edhe statuja e zbuluesit të Amerikës, Kristofor Kolombi, e cila jo vetëm u vandalizua, por busti i tij u shkul. Disa prej monumenteve të tij u dogjën dhe tërhoqën zvarrë nga demonstruesit.

Jo vetëm në Amerikë, por momentet që prej shekujsh kanë përfaqësuar qytete, u vandalizuan edhe në Europë. Në Belgjikë mbi 30 mijë qytetarë kërkuan të hiqej statuja e mbretit Leopoldi i Dytë, i cili në fundvitet 1800 deri më 1908, urdhëroi masakrimin e miliona afrikanëve të Kongos. E njëjta gjë ka ndodhur në Virxhinia të SHBA.

Po ashtu edhe në Bristol në Britaninë e Madhe, manifestuesit rrëzuan statujën e Edward Colstonit tregtar skllevërish me ngjyrë i shekullit të 17. Colston akuzohet se gjatë shekullit të 17-të kishte transportuar rreth 100 mijë skllevër nga Afrika në Amerikë dhe Karaibe.

Pre e dhunës ra edhe memoriali i ish-kryeministrit Winston Churchill i cili u vandalizua kur disa protestues shkruajtën mbi statujë: “Ai ishte racist”.

Klan Plus