Në politikë, shpesh thika vjen nga dora që të ka përqafuar! Këtë duket se e ka provuar më së miri edhe presidenti amerikan Donald Trump, të premten.

Pesë ligjvënës republikanë i votuan kundër në Kongres një projektligj, me të cilin ai është mburrur se është “projektligji më i madh dhe më i bukur”. Ata u bashkuan me demokratët duke i dhënë një goditje të papritur axhendës së Trump brenda vendit, duke kërkuar më shumë shkurtime në buxhet.

Trump ka arritur të tregojë forcën disa herë këtë vit duke shpëtuar ngushtë me votat. Në një postim në rrjetet sociale ai i bëri thirrje ligjvënësve republikanë që të bashkohen për projektbuxhetin.

“Nuk kemi nevojë për “showmen”-ë në Partinë Republikanë. Stop me fjalët, por kryeni punën”, tha ai në rrjetet sociale.

Në fakt, projektbuxheti ka shanse që të kalojë, por gjithsesi është goditja e parë legjislative për administratën e Trump.

Edhe brenda Partisë Republikane ka kundërshtime. Disa prej tyre kërkojnë që shkurtimet në buxhet të thellohen, e të tjerë janë të shqetësuar për shkurtimet në disa programe si për shembull Medicaid. Kjo për shkak se shumë votues të tyre përfitojnë nga to.

Republikanët që votuan kundër masave të Trump thonë se do të vijojnë ta bëjnë diçka të tillë derisa kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson të pranojë që të shkurtojë më tej Medicaid.

Po ashtu duan që Jonhson të përfshijë në projektligj shfuqizimin e plotë të lehtësimeve tatimore për energjinë e gjelbër, të miratuara më herët nga demokratët.

“Projektligji nuk e realizon atë që pretendojmë lidhur me uljen e deficitit”, tha përfaqësuesi republikan nga Teksasi, Chip Roy, që votoi kundër.

Ai synon të zgjasë lehtësimet tatimore të vendosura gjatë mandatit të parë të Trump.

Presidenti amerikan ka futur në ligj një masë që përjashton bakshishet nga tatimi, por kritikët e tij thonë se ai favorizon më shumë të pasurit.

Demokratët, të cilët janë në masë të madhe kundër projektligjit, kanë kërkuar rishqyrtimin e shkurtimeve në Medicaid dhe në shpenzimet për Aktin e Kujdesit të Përballueshëm, i cili i ofron miliona amerikanëve sigurim shëndetësor të subvencionuar.

“Asnjë projektligj, asnjë ligj i mëparshëm dhe asnjë ngjarje tjetër nuk ka shkaktuar humbjen e mbulimit shëndetësor për kaq shumë miliona amerikanë. Madje as Depresioni i Madh,” deklaroi Brendan Boyle, demokrat nga Pensilvania.

Sipas Komitetit të Përbashkët të Tatimeve të Kongresit projektligji do t’i kushtonte buxhetit amerikan rreth 3.72 trilionë dollarë gjatë dhjetë viteve të ardhshme./tvklan.al