UEFA do të shpërndajë rreth 31.5 milionë euro për klubet europiane që liruan futbollistët e tyre për ndeshjet e Ligës së Kombeve UEFA 2024/25.

Kjo është pagesa e parë në kuadër të ciklit aktual të Programit të Përfitimeve të Klubeve të UEFA-s, i parashikuar në Memorandumin e Mirëkuptimit mes UEFA-s dhe Klubeve Europiane.

Në total, programi parashikon 104 milionë euro për klubet që do të vënë në dispozicion lojtarët e tyre për Ligën e Kombeve 2024/25 dhe 2026/27, si dhe për ndeshjet kualifikuese të EURO 2028.

Mekanizmi i shpërndarjes mbetet i njëjtë me atë të edicionit të kaluar. Klubet kompensohen në bazë të numrit të paraqitjeve të lojtarëve të tyre në listat e ndeshjeve të kombëtareve.

Për Ligën e Kombeve dhe kualifikueset e Europianit, pagesa është 3,845 euro për çdo lojtar për çdo paraqitje.

Ndërsa për EURO 2028 kompensimi do të llogaritet sipas numrit të ditëve që lojtari qëndron në dispozicion të kombëtares.

Programi prek plot 611 klube në të gjitha federatat anëtare të UEFA-s, duke përfshirë edhe klube të nivelit amator.

Klubi që do të përfitojë shumën më të madhe nga kjo pagesë është Lajpzig. Klubi gjerman do të arkëtojë rreth 353 mijë euro, pasi ka liruar 16 futbollistë për ndeshjet e kombëtareve.

Skema e UEFA-s synon të kompensojë klubet për kontributin e tyre në aktivitetet e kombëtareve, duke shpërndarë një pjesë të të ardhurave të turneve te ekipet që vënë lojtarët në dispozicion.

Klan News

/tvklan.al