Pas polemikave të krijuara, presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka njoftuar tërheqjen nga projekti për krijimin e një strukture të re që do të menaxhonte të drejtat tregtare të kompeticioneve të FIFA-s.

“Pas dëgjimit me kujdes të të gjitha pikëpamjeve, është bërë e qartë se projekti ka krijuar ndasi të një natyre të tillë që, pavarësisht nivelit të mbështetjes, nuk është më në interes të objektivit të përcaktuar. Qëllimi ynë ka qenë dhe do të jetë gjithmonë bashkimi dhe përmirësimi. Për këtë arsye, kjo propozim nuk do të vijojë më tej”, thuhet në njoftimin zyrtar të FIFA-s.

Vendimi vjen pas reagimeve të shumta në botën e futbollit dhe jo vetëm. Projekti kishte shkaktuar përplasje me UEFA-n, e cila kishte paralajmëruar mundësinë e bojkotit, ndërsa situata kishte sjellë edhe zhvillime në strukturat drejtuese të FIFA-s. Në këtë kuadër, këshilltari i FIFA-s, Carlos Cordeiro, dha dorëheqjen, ndërsa drejtori operativ Kevin Lamour e kritikoi publikisht Infantinon, duke deklaruar: “Infantino na mashtroi”.

UEFA e ka mirëpritur vendimin e FIFA-s për të tërhequr projektin.

“UEFA mirëpret vendimin e FIFA-s për të tërhequr planin për t’u dhënë palëve private një pjesë të të drejtave të kompeticioneve të saj, përfshirë Kupën e Botës”, thuhet në reagimin e UEFA-s.

Më tej, UEFA shprehet se procesi nuk mund të vijojë në të njëjtën mënyrë.

“Nuk mund të vazhdojmë kështu, me plane sekrete të hartuara në një kohë shumë të shkurtër nga individë pa identitet të qartë dhe me një dobishmëri të dyshimtë për futbollin. Duhet të identifikojmë personat përgjegjës dhe t’u kërkojmë llogari”, vijon deklarata.

Sipas UEFA-s, në ditët dhe javët e ardhshme duhet të nisë një proces shqyrtimi në bashkëpunim me federatat europiane dhe konfederatat e tjera, me qëllim që një situatë e tillë të mos përsëritet.

“Është e drejtë që, në ditët dhe javët e ardhshme, UEFA të punojë me federatat e saj dhe në bashkëpunim të ngushtë me konfederatat e tjera për të analizuar se si mund të ketë ndodhur kjo dhe për të hartuar një plan që garanton se një situatë e tillë nuk do të përsëritet. Ky shqyrtim duhet të jetë i thellë dhe rrënjësor. Asnjë opsion nuk duhet të përjashtohet”, thuhet në deklaratë.

Tërheqja e projektit nuk ka ndalur kritikat e UEFA-s ndaj presidentit të FIFA-s. Organizata europiane vijon të kundërshtojë atë që e cilëson si një “plan sekret” dhe i është referuar deklaratave të mëparshme të Infantinos.

UEFA rikujton se në vitin 2016, kur Infantino kërkoi mbështetjen dhe votat e federatave anëtare të FIFA-s për t’u zgjedhur president, ai deklaroi:

“Do të jem transparent. Paratë e FIFA-s janë paratë tuaja. Nuk janë paratë e presidentit të FIFA-s. Ju jeni federatat kombëtare dhe paratë e FIFA-s duhet të shërbejnë për zhvillimin e futbollit.”

Sipas UEFA-s, këto premtime nuk janë përmbushur.

“Asnjë nga këto premtime nuk është mbajtur. Marrëveshja e hartuar në dhoma të mbyllura dhe pa transparencë, të cilën ai e përgatiti dhe tentoi ta impononte, ishte gjithçka tjetër përveçse transparente”, përfundon UEFA.

/tvklan.al