Putini zbulon shqetësimet e kinës për luftën që tani ka hyrë në muajin e gjashtë
Takimi i presidentëve të Kinës dhe Rusisë në Uzbeksitan nxori në pah shqetësimet e Pekinit për situatën në Ukrainë, e konfirmuar kjo edhe nga vetë kreu rus Vladimir Putin.
Që nga pushtimi i Rusisë, Kina ka ndjekur një linjë të kujdesshme, duke kritikuar sanksionet perëndimore ndaj Rusisë, por duke mos mbështetur apo ndihmuar në fushatën ushtarake.
“Ne e vlerësojmë shumë pozicionin e balancuar të miqve tanë kinezë kur bëhet fjalë për krizën në Ukrainë. Ne i kuptojmë pyetjet dhe shqetësimet tuaja për këtë. Gjatë takimit të sotëm, sigurisht që do të shpjegojmë qëndrimin tonë,” i tha Putin Xi-së në takimin e tyre të parë që nga fillimi i luftës.
Xi nuk e përmendi Ukrainën në komentet e tij publike. Mbështetja e Pekinit shihet gjerësisht si thelbësore për Moskën, e cila ka nevojë për tregje për eksportet e saj të energjisë. Presidenti Xi Jinping i tha homologut të tij rus Putin se Pekini është gati të punojë me Moskën për të “ngulitur stabilitet dhe energji pozitive në një botë në trazira”.
Komentet e presidentit rus sugjeruan një zhvendosje kineze drejt një qëndrimi më kritik, të paktën privatisht.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, tha se Kina duhet të refuzojë pushtimin e Rusisë: “E gjithë bota duhet të rreshtohet kundër asaj që po bën zoti Putin”, tha Kirby për CNN-in.
Në Kiev, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, zhvilloi bisedime me Presidentin VolodymyrZelenskiy të cilit i tha se procesi i pranimit të Ukrainës në Bashkimin Europian është në rrugën e duhur.
“Është mbresëlënëse të shohësh shpejtësinë, vendosmërinë, saktësinë me të cilën po përparoni. Ne kurrë nuk do të jemi në gjendje të kompensojmë atë që bëni me luftën tuaj për demokraci, për njerëzimin, për respektimi i shtetit ligjor ndërkombëtar, por… ju keni në krah miqtë tuaj evropianë për aq kohë sa do të duhet.”
Prioritet për Zelenskiy-n janë sistemet e mbrojtjes ajrore.
Ndërkohë sulmet ruse me raketa nuk ndaluan. Në shenjë hakmarrjeje, rusët sulmuan me raketa digën e një rezervuari pranë Kryvyi Rih, vendlindja e presidentit Zelenskiy.
Autoritetet në qytetin e Kharkiv thanë se predhat ruse goditën një tubacion gazi me presion të lartë, ndërsa një operacion shpëtimi u zhvillua në qytetin Bakhmut.
Shtetet e Bashkuara vendosën të enjten sanksione të reja ndaj 22 individëve dhe dy subjekteve ruse, ndërsa erdhi sinjali i parë për furnizimin e Ukrainës me raketa me rreze të gjatë veprimi.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova paralajmëroi se furnizimi i Kievit me këto lloj raketash do të kalonte “vijën e kuqe” dhe do t’i bënte Shtetet e Bashkuara “palë të drejtpërdrejtë në konflikt”.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 