Manchester United po konsideron Thomas Tuchel si një nga zëvendësuesit e mundshëm për Erik ten Hag në stol. Trajneri gjerman ishte një ndër më të përfolurit në verë te “Djajtë e kuq”, ndërsa drejtuesit po diskutojnë për të zëvendësuar holandezin.

Tekniku 51-vjeçar vazhdon që të jetë ende pa punë pasi u largua nga Bayern Munich në fund të sezonit të kaluar. Drejtuesit e klubit anglez janë duke shqyrtuar edhe emra të tjerë, por gjermani mban vendin e parë pasi akordi me të arrihet pa pengesa, raporton gazeta angleze “Manchester evening News”. Ndërkohë që trajnerët e tjerë që janë në listë, kanë kontrata me klubet e tjera.

Të martën pritet një takim në Londër mes Ten Hag dhe drejtuesve të klubit, ku do të diskutohet seriozisht për të ardhmen e holandezit në stol. Pozicioni i tij është i pasigurt pasi United ka fituar vetëm tre nga 11 ndeshjet e luajtura në këtë sezon dhe gjendet në vend të 14-të në tabelën e Premier League.

Ekipi ka shënuar pesë gola në shtatë ndeshje të kampionatit dhe vetëm Southampton në vendin e 19-të ka realizuar më pak. “Djajtë e kuq” gjenden gjashtë pikë larg vendit të katërt që i kualifikon në Ligën e Kampioneve. Që nga viti 1993, ata kurrë nuk kanë dështuar që të kualifikohen në dy sezone radhazi në kompeticionin më të rëndësishëm të Europianit.

Klan News