Familja Jashari ishte e bindur që donte të sakrifikohej. Në 30 Dhjetor të vitit 1991 i kishte rezistuar disa orë rrethimit serb. Në 22 Janar të 1998 kishte rezistuar sërish. Pas ngjarjeve të 28 Shkurtit të 1998, ata e dinin që serbët do të vinin dhe vendosën të rezistojnë. Rezistuan për 3 ditë dhe 3 net. Në fund humbën jetën të gjithë, i fundit ishte djali 13-vjeçar i Adem Jasharit, i cili i shpëtoi gjyles së fundit që goditi familjen, doli së bashku me vajzën e Hamzë Jasharit, Besartën, por në momentin që doli i tha vajzës: ti vazhdo jeto, unë do të vdes.

Mori kallashnikovin dhe mori plumbin e fundit. Krismat e këtij 13-vjeçari ishin krismat e fundit që dolën nga shtëpia e Jasharëve. Besarta nuk tregoi asnjë shenjë frike, ose turbullimi. Në momentin që forcat serbe mbërritën për ta marrë, në mes të trupave të motrave, të së ëmës dhe babait të vrarë, i kërkuan të identifikonte Adem Jasharin dhe e çuan tek Adem Jashari. Ajo tha jo, ky nuk është Adem Jashari, është dikush që ka ardhur mbrëmë në familje për vizitë. Donte deri në momentin e fundit t’i linte të kuptonte që Adem Jashari nuk ishte eliminuar.

“Opinion” përcolli mbrëmjen e kësaj të hëne rrëfimin e Bekim Jasharit, i cili në ato momente ishte në gjermani, tek xhaxhi i tij, po që kishte folur pak kohë përpara me familjen dhe që e ka përjetuar moment pas momenti për 3 ditë e 3 net rrethimin e familjes së tij, nga e cila e dinte që nuk do dilnin të gjallë. Ai humbi 7 motra e vëllezër, babain, nënën, por sot është krenar për veprën e familjes së tij që ishte xhesti i parë që ktheu rezistencën në Kosovë.

Rrëfimin Bekim Jashari e dha në Prekaz, në zonën e kthyer memorial i Adem Jasharit, ku ndodhen shtëpitë e rrënuara si në momentin kur ato u bombarduan.

Blendi Fevziu: Gjyshi u kishte thënë më herët autoriteteve që nëse vini, ne do të vdesim nuk dorëzohemi.

Bekim Jashari: Në qoftë se luftoni ejani, luftoni përndryshe nuk ka dorëzim, nuk ka tërheqje sepse ka qenë kërkesa dhe presioni nga ata që dhe ta lirojnë Kosovën, të dalin jashtë nuk do i ngucim, por nuk kanë pranuar të dalin.

Blendi Fevziu: Të largohen fare nga Kosova dhe nuk do të kishin probleme, sepse donin të hiqnin një bazë të rezistencën shumë të fortë që ishte në këtë zonë.

Bekim Jashari: Me sulmin e fundit, ku unë kam parë një dokumentar, ku shefi i armatës Jugosllave e thotë tekstualisht familja Jashari është kapitull më vete, pse? Sepse unë kam pasur urdhër Sllobodan Milosheviç, tekstualisht kështu po e citoj “që të eliminohet Adem Jashari” dhe nuk ka qenë fare në diskutim në tavolinë se sa do dëmtohet pala jonë apo pala e kundërt e se sa viktima do të ketë në mes.

Blendi Fevziu: Por ndërkohë komandanti i Forcave Speciale Serbe në Gjykatën e Hagës ka deklaruar që ata tentuan t’i nxirrnin jashtë gratë dhe fëmijët, por nuk kanë pranuar të dalin.

Bekim Jashari: Nuk është e vërtetë, këtu s’ka pas as paralajmërim, asgjë fare. Sipas Bashkimit për pesë minuta është nxjerr rrethi me tanke dhe me ushtri komplet lagjes tonë. Komplet lagja ka qenë e rrethuar brenda 5 minutave, kanë dalë tanket edhe sipër atje nga ai mali atje. Ky këtu është pylli ynë që kanë ardhur kompseri dhe tanket… Ato tanke që kanë mbetur, kanë qenë e armatës Jugosllave që kanë qenë e dëmtuar nga Ademi kur i ka gjuajtur nga ky pozicioni këtu me murtajë.

Blendi Fevziu: Ka arritur të dëmtojë dhe tankun që të mos afrohej në drejtim të shtëpisë…

Bekim Jashari: Po ka pas shumë tanke.

Blendi Fevziu: Ndërkohë ata kanë qëlluar me artileri në drejtim të shtëpisë, shenjat duken në të gjitha rastet. Më çfarë kanë goditur me murtaja apo me top?

Bekim Jashari: Me katjusha.

Blendi Fevziu: Është goditur e gjithë lagja apo jo?

Bekim Jashari: Komplet.

Blendi Fevziu: A kishte vendosur familja Jashari në një farë mënyrë të vetësakrifikohej?

Bekim Jashari: Po gjyshi ynë e ka thënë këtë.

Blendi Fevziu: Ishin të gatshëm ta bënin?

Bekim Jashari: Kjo që ka ndodh në familjen tonë ka ndodh me vetëdije, nuk ka ndodh pa vetëdije.

Blendi Fevziu: 56 njerëz…/tvklan.al