Vazhdon lufta me flakët në Spanjë, ku zjarrfikësit po përpiqen të parandalojnë përhapjen e mëtejshme të zjarrit në Las Hurdes.

Flakët kanë djegur 4,800 hektarë dhe kanë detyruar evakuimin e rreth 800 personave.

Autoritetet kanë vendosur në dispozicion 270 punonjës emergjence dhe 24 avionë zjarrfikës për të luftuar flakët.

Garda Civile Spanjolle gjithashtu ndihmoi me evakuimet dhe sigurinë.

Sipas Reuters, zjarri në Las Hurdes thuhet se është zjarri më i keq i vitit në rajonin Extramadura.

Portugalia vazhdon të përballet me zjarret, që kanë përfshirë zonat e Arouca dhe Torre de Moncorvo, në veri të vendit. 

Në Arouca janë djegur të paktën 3 mijë hektarë, ndërsa në Torre de Moncorvo rreth 700 hektarë, ndërsa janë angazhuar 517 forca emergjence, 168 automjete dhe katër mjete ajrore zjarrfikëse.

Në Arouca po operojnë 498 efektivë, 164 automjete dhe nëntë mjete ajrore.

Të dyja vatrat, së bashku me një zjarr të tretë në Santo Tirso, kanë mobilizuar më shumë se 1 mijë e 200 zjarrfikës.

Katër zjarrfikës janë raportuar të plagosur gjatë operacioneve për shuarjen e flakëve.

Autoritetet vijojnë përpjekjet për të vënë nën kontroll zjarret, ndërsa situata mbetet e vështirë për shkak të përhapjes së shpejtë të flakëve.

Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë zonën e Prilepit në Maqedoninë e Veriut, mes fshatrave Çaniste dhe Krushevicë, duke përparuar me shpejtësi në terrenin e vështirë malor.

Flakët kanë përfshirë sipërfaqe të mëdha me bimësi të thatë, ndërsa era ka favorizuar përhapjen e zjarrit.

Banorë të zonës dhe zjarrfikës janë përpjekur ta frenojnë me lopata dhe mjete rrethanore, ndërsa në operacion është angazhuar edhe një helikopter policie.

Klan News

/tvklan.al