Nga paraburgimi i Fierit, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u është drejtuar me një mesazh anëtarëve të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste në pamundësi për t’iu bashkuar fizikisht. Ai u ka kërkuar debat për gjendjen e partisë dhe mocion mosbesimi për kryetarin e saj, Edi Rama.

“Kërkoj që të ndërmerren veprimet e nevojshme për aktivizimin e procedurës statutore të mocionit të mosbesimit ndaj kryetarit të Partisë Socialiste, në përputhje me Statutin dhe me rregullat përkatëse të zbatimit të tij. Kërkoj që organet përgjegjëse të bëjnë të njohur procedurën, afatet dhe mënyrën e ushtrimit të kësaj të drejte, në mënyrë që anëtarët e Partisë Socialiste të kenë mundësi të shprehen sipas Statutit. Besimi ndaj kryetarit të partisë nuk mund të konsiderohet i pakufizuar vetëm sepse ai ka drejtuar fitore të rëndësishme elektorale. Ai është një marrëdhënie përgjegjësie politike, e cila duhet t’i nënshtrohet mekanizmave demokratikë të kontrollit që parashikon vetë Statuti”.

Në fjalimin e tij të gjatë, Veliaj kritikon mënyrën e përzgjedhjes së Këshillit të Ministrave apo kandidatëve për deputetë. Sipas kryebashkiakut, kompetencat kushtetuese të kryeministrit nuk përjashtojnë përgjegjësinë e tij politike ndaj partisë dhe organeve të saj.

“A është ky Grupi Parlamentar që përfaqëson vërtet Partinë Socialiste, historinë e saj, vlerat, traditën e debatit dhe kontributin e brezave të socialistëve? Apo është shndërruar në një grup njerëzish të mbledhur për të votuar vendime që merren diku tjetër, pa diskutuar, pa kundërshtuar dhe pa ushtruar përgjegjësinë politike që u buron nga mandati i tyre? Partia Socialiste nuk ka qenë kurrë thjesht një makineri votash. Ajo ka qenë një bashkësi politike idesh, personalitetesh dhe bindjesh. Një grup parlamentar që humbet aftësinë për të debatuar, rrezikon të humbasë edhe aftësinë për të përfaqësuar”.

“Quo Vadis, Partia Socialiste”, thotë Veliaj, sipas të cilit, debati është zëvendësuar me heshtjen dhe meritokracia me besnikërinë personale.

“A janë organizatat tona socialiste ende vende ku diskutohet dhe vendoset, apo janë kthyer kryesisht në struktura që aktivizohen gjatë fushatave? A dëgjohen socialistët që mendojnë ndryshe? A promovohen njerëzit me integritet dhe autoritet në komunitetet e tyre, apo mjafton lidhja me drejtuesin? Një parti ku secili hesht për të mbrojtur veten, gradualisht humbet aftësinë për të mbrojtur interesin e përbashkët. Një parti pa demokraci të brendshme humbet aftësinë për t’u korrigjuar; një parti pa solidaritet humbet forcën për të qëndruar e bashkuar. Kur mungojnë të dyja, mbetet pushteti, por organizata politike jo”.

Veliaj përsërit pretendimet se pas transferimit të tij nga Durrësi në Fier qëndron kryeministri Rama, i cili, përmes ministrit të Drejtësisë, i ka kërkuar dorëheqjen nga drejtimi i bashkisë.

“M’u përcollën në emër të Edi Ramës kërcënime për rëndimin e pozitës sime penale dhe përkeqësimin e kushteve të paraburgimit, nëse nuk jepja dorëheqjen nga funksioni për të cilin më kanë zgjedhur qytetarët. Ajo që e bën edhe më të rëndë këtë situatë është se, pas këtyre kërcënimeve, ato po provohen me veprime konkrete ku pengohem në marrjen e kujdesit mjekësor: nuk më mundësohet ekzaminimi i nevojshëm për të vlerësuar gjendjen e këmbës sime të thyer dhe, për pasojë, as ndërhyrja kirurgjikale që mund të rezultojë e domosdoshme”.

Jo pa ironi, Veliaj flet edhe për “Praninë Besnike”, nismë të cilën e konsideron të hartuar nga kryetari dhe jo nga forumet e partisë, të cilës, thotë ai, i ngarkohet përgjegjësia për të zgjidhur një problem për të cilin nuk është dëgjuar. Sipas Veliajt, prova e vërtetë e drejtuesit nuk është sa gjatë rri në pushtet, por çfarë institucionesh lë pas për shtetin dhe qytetarët.

Tv Klan

/tvklan.al