Frika për një valë të dytë të koronës. Franca e Spanja marrin masa

Një pjesë e madhe e vendeve evropiane kanë filluar të marrin masat nga frika se ardhja e vjeshtës do të sjellë një valë të dytë pandemie që me shumë gjasa parashikohet të jetë agresive.

Teksa numri i të infektuarve dhe vdekjeve në Evropë nuk është aq i lartë sa në periudhën Mars-Prill, autoritetet kanë ngritur alarmin se disa vatra të reja tanimë janë aktive. Zona të reja janë identifikuar në pjesën jugore të Francës, Spanjës dhe Italisë.

Sipas asaj që raporton BBC, vendet të cilat kanë hapur kufijtë, apo edhe që kanë çelur sezonin turistik janë më të rrezikuar. Për këtë arsye autoritetet kanë nisur të kryejnë testime në masë edhe tek të rinjtë të cilët së fundmi nuk po i zbatojnë masat.

Kreu i OBSH, Tedros Adhanom, është shprehur se tanimë koronavirusi po del jashtë kontrollit. Sipas tij shkaktarët kryesorë janë njerëzit të cilët janë të papërgjegjshëm, nuk respektojnë rregullat, nuk vendosin maskë kur disa vende tanimë e kanë bërë të detyrueshme dhe frekuentojnë vende me shumë grumbullime.

Tedros theksoi se pandemia ka ekspozuar pabarazitë globale dhe kombëtare si në sistemet e shëndetësisë ashtu edhe në shoqëri. Sipas tij Covid-19 nuk i intereson aspak mënyra e jetesës së individëve.

Së fundmi Organizata Botërore e Shëndetësisë ka krijuar gjithashtu edhe një komision të pavarur për të analizuar reagimin ndaj pandemisë. Ky komision do t’i japë mundësi njerëzve të kuptojnë sesi po ndërvepron virusi dhe pasojat që po sjell dhe do të sjellë ai në të ardhmen. 

I gjithë globi numëron 12.4 milionë të prekur nga ku 557 mijë kanë humbur jetën që nga fillimi i pandemisë.

Klan Plus