Ajri i freskët malor, pyjet me pisha shekullore dhe qetësia që ofron gjatë stinës së verës po tërheqin çdo ditë vizitorë drejt Voskopojës. Fshati turistik, i njohur për historinë, natyrën dhe trashëgiminë kulturore, po përjeton një tjetër sezon të ngarkuar turistik, me pushues vendas dhe të huaj që zgjedhin të kalojnë ditët e nxehta të verës larg zhurmës së qyteteve.
Mes vizitorëve ka edhe turistë nga Greqia, të cilët kanë zgjedhur ta vizitojnë për herë të parë këtë destinacion.
“Ne vijmë nga Greqia. Kjo është hera jonë e parë dhe këtu është shumë bukur. Ne sapo shijuam lakrorin tuaj dhe ishte fantastik. Klima këtu është fantastike. Peisazhi dhe atraksionet janë perfekte dhe njerëzit gjithashtu. Ne do të qëndrojmë dy ditë dhe më pas do të kthehemi në Greqi”.
Përveç turistëve të huaj, në Voskopojë rikthehen vit pas viti edhe vizitorë nga Tirana dhe qytete të tjera të vendit. Ata vlerësojnë ajrin e pastër, natyrën e gjelbër, gatimet tradicionale dhe çmimet e përballueshme, elementë që e bëjnë qëndrimin të këndshëm për familjet dhe grupet e miqve.
Për disa pushues, lidhja me Voskopojën është kthyer tashmë në traditë. Ka prej tyre që prej më shumë se një dekade zgjedhin të kalojnë pushimet në këtë zonë, duke shfrytëzuar kohën për shëtitje, eksplorimin e monumenteve të kulturës dhe kontaktin e vazhdueshëm me natyrën.
Ka edhe vizitorë që nuk mjaftohen me një fundjavë apo disa ditë pushimi. Ata zgjedhin të qëndrojnë për periudha të gjata, duke e konsideruar klimën dhe qetësinë e Voskopojës si kurative dhe një vlerë të shtuar për shëndetin.
Kishat bizantine, peizazhet karakteristike malore, shtigjet mes pyjeve me pisha dhe kulinaria tradicionale vazhdojnë ta mbajnë Voskopojën mes pikave më të frekuentuara turistike të juglindjes së vendit.
Operatorët turistikë shprehen optimistë për ecurinë e sezonit, teksa një pjesë e mirë e strukturave akomoduese janë rezervuar paraprakisht për muajt e verës nga turistë vendas dhe të huaj.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 