Vëllezërit mohojnë implikimin në vrasjen e Ruzhdi Hoxhës

Fredi dhe Pajtim Rrushi të akuzuar për rrëmbimin dhe vrasjen e biznesmenit Ruzhdi Hoxha do të qëndrojnë në burg pa afat me vendim të Gjykatës së Tiranës. Gjatë seancës dy vëllezërit kanë mohuar të kenë gisht në ngjarje, ndërsa nëpërmjet avokatit të tyre, Alban Bengasi kanë argumentuar se nuk ka prova që i implikojnë. Fredi Rrushi akuzohet nga Prokuroria si personi që ka bërë ekzekutimin e biznesmenit 43-vjeçar, ndërsa vëllai i tij dyshohet të ketë ndihmuar në zhdukjen e kufomës dhe fshehjen e makinës së përdorur.

Gjetja e makinës dhe armës së krimit janë vendimtare për hetimet në gjetjen e provave biologjike që mund të lidhin dy vëllezërit me ngjarjen e rëndë. Prokuroria ka në dorë një sërë pamjesh të kamerave të sigurisë dhe qelizat telefonike që e kanë ndihmuar për të rindërtuar itinerarin e lëvizjes së viktimës dhe autorit të dyshuar të vrasjes.  

Krimi i rëndë mbetet ende pa një motiv sa kohë vëllezërit Rrushi mohojnë implikimin, por grupi hetimor dyshon se pista kryesore mbetet ajo e konfliktit për borxhe në biznes. Gjithashtu prokuroria po heton edhe për konfliktet që mund të kenë lindur mes vëllezërve dhe viktimës për një parcelë me kanabis që u gjet në zonën e Dajtit. Ndërkohë që Ruzhdi Hoxha rezulton të ketë qenë në verifikim nga Prokuroria e Tiranës për një tentativë vjedhje në zyrat e një biznesi në Tiranë.

Tv Klan